Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë dënon sulmin me thikë ndaj infermierit në QKUK

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka dënuar sulmin me thikë ndaj infermierit në Qendren Klinike dhe Universitare të Kosovës, duke e cilësuar si “akt qyqar dhe të papranueshëm”.

Kjo shoqatë kërkon që organet e drejtësisë sa më parë ta vendosin drejtësinë në vend.

“Ne konsiderojmë se profesionistët dhe pacientët armik duhet të kenë sëmundjen e pacientit dhe jo njëri – tjetrin. Besimi në mes të palëve profesionist-pacient është kusht themelor për marrëdhënie të shëndoshë dhe trajtim të suksesshëm”, është thënë në një komunikatë.

Gjithashtu, në reagim kërkohet që të pushojnë të gjitha shkaqet që profesionistin shëndetësor dhe pacientin e sjellin në situata konfliktuoze të cilat shpien në sulme verbale e fizike.

“Situatat konfliktuoze duhet parandaluar jo ti trajtojmë ato pasi të kenë ndodhur!”.

Sipas tyre, institucionet shëndetësore duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të forcuar besimin në mes të palëve profesionist – pacient, si e vetmja rrugë për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të tyre.

“Një punëtor shëndetësor i sulmuar për ne do të thotë një pacient më shumë dhe ne nuk dëshirojmë që aleati ynë në luftën me sëmundjen të shndërrohet në pacient, por profesionisti që na ndihmon në rikthimin e shëndetit dhe përparimin e tij”.