Shpallet fajtor i riu londinez që planifikoi vrasjen e kryeministres britanike

Gjykata e Old Baileyt shpalli fajtor dhe denoi një të ri britanik i akuzuar për planifikimin e një sulmi për të vrarë kryeministren Theresa May.

Naa’imur Rahman, 20 vjeçar me banim në pjesën veriore të Londrës, kishte planifikuar me detaje mënyrën se si do të hynte në zyrat e kryeminsitres May dhe më pas të ekzekutonte atë.

Ai kishte menduar të shpërthente me anë të një pajisjeje derën kryesore dhe më pas të përfitonte nga rrëmuja, për t’u futur në godinë dhe për të ekzekutuar kryeministren me thikë.

“Nr. 10 Doëning Street” është rezidenca zyrtare dhe zyra e kryeministrave britanikë. Ajo është ruajtur nga masa të forta sigurie dhe ka një portë në fund të rrugës, ku publiku dhe turistët mund të shkrepin foto të shtëpisë.

“Ne po flasim për një individ që do të kishte vrarë dhe plagosur një numër njerëzish, duke përfshirë zyrtarët e policisë dhe njerëz që mund të ndodheshin rastësisht aty”, tha Dean Haydon, kreu i Komandës kundër Terrorizmit në Policinë Metropolitane.

Britania pësoi katër sulme vdekjeprurëse vitin e kaluar dhe kreu i agjencisë së spiunazhit MI5 tha në maj se 12 komplote islamiste të mëvonshme ishin prishur që në nisje në mars 2017.

Komploti ndaj Kryeministres u zbulua kur Rahman besonte se ai po komunikonte me anëtarët e grupit militant të Shtetit Islamik (ISIS), ndërsa planifikonte sulmin e dyshuar por në fakt ishte duke folur me oficerët e fshehtë të Byrosë Federale të Hetimeve në SHBA dhe MI5 të Britanisë.

Rahman u arrestua nëntorin e kaluar menjëherë pas takimit me oficerët e fshehtë dhe atij iu sekuestruan dy pajisje shpërthyese. Haydon tha se Rahman kishte qenë në kontakt me xhaxhain e tij, i cili kishte udhëtuar në Siri dhe u bashkua me ISIs dhe që kishte inkurajuar nipin e tij për të kryer sulme në Britani.