Shpërfaqja brilante e Islamit në zemër e vetëdije nga e bija e Niko Peleshit

Aleksia Peleshi

Konvertimi i bujshëm nën një stihi anti-islame e anti-muslimane: ja ç’kumt përcjell ajo së fundi në Instagram

Mes një stihie anti-islame e anti-muslimane të shpërthyer në ambientin shqiptar, provokuar nga ca zëra të çartur publikë, vjen, si përgjigje nga qielli, kalimi në Islam i një emri që deri dje ishte personazh i lajmeve rozë: Aleksia Peleshi, e bija e Niko Peleshit, e një trashëgimie fetare ortodokse, për aq e tillë sa mund të ketë qenë ajo apo familja e saj.

Paksa e amullt deri dje në mesazhin e saj të kalimit në Islam, me një mesazh të fundit në Instagram duket më e qartë në trandjen e saj të brendshme besimore.

Parë me një alkimi tekstuale, ngjan se ajo është e sinqertë në ato që përcjell për publikun, pasjen tashmë të një identiteti të ri besimor.

Nga Abu Dhabi, në oborrin e një xhamie të famshme, ajo përcjell ndjesinë e saj të re të një raporti të ri me Krijuesin:

“Ky vit ka qenë një pikë kthese në jetën time, për një arsye të thjeshtë: E forcova imanin tim më shumë se kurrë më parë. Kam kërkuar Islamin për pesë vjet, duke u rrotulluar rreth tij, duke iu afruar dhe duke u tërhequr, por tani e ndiej se po vendoset në zemrën time si në shtëpi. Nuk zbriti mbi mua në një moment të vetëm ndriçimi; më duhej të ‘punoja’ për të. U luta, lexova, dyshova, u vura në pikëpyetje, rashë dhe u ngrita përsëri, por gjithmonë, gjithmonë, e gjeta veten duke u kthyer tek Allahu.

Këtë vit kalova më shumë kohë vetëm sesa kam kaluar ndonjëherë. Jetova vetëm, eca vetëm, udhëtova vetëm, u ula vetëm, megjithatë kurrë nuk u ndjeva e vetmuar. E dini pse? Sepse ndjeva praninë e Allahut pranë meje në çdo hap, çdo lot, çdo moment heshtjeje.

Me siguri e keni vënë re se përballem me shumë paragjykime dhe islamofobi. Si nga njerëzit që nuk më njohin, ashtu edhe nga ata që janë më afër zemrës sime. Por kjo më shtyn vetëm të vazhdoj të flas për bukurinë e Islamit dhe sa shumë më ka dhënë, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

Nuk e kam dashur, respektuar dhe nderuar kurrë veten më shumë se tani. Allahu më ka ndihmuar të gjej veten më shumë se çdo gjë në këtë botë.

Elhamdulilah!

Ju mbaj të gjithëve në duatë e mia!”, shkruan e bija e një prej politikanëve më të njohur në Shqipëri, kryeparlamentar i saj, ish-kryebashkiak i Korçës dhe ish-ministër e zv/kryeministër.