Shpërthim “shkatërrues” në Tennessee të SHBA-së, disa të vdekur dhe të zhdukur

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur një kompleks ushtarak të municioneve në një zonë rurale të shtetit Tennessee të SHBA-së, duke lënë disa persona të zhdukur dhe të vdekur, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 07:45 në “Accurate Energetic Systems”, një kompani e specializuar në mbrojtje, aerohapësirë dhe shkatërrim, në qytetin McEwen. Sherifi i Qarkut Humphreys, Chris Davis, tha se kompleksi pësoi “shpërthim shkatërrues” që “përfshiu një ndërtesë të tërë që ishte në kompleks.”

“Kemi disa persona që aktualisht nuk po gjenden”, tha Davis për gazetarët në një konferencë për shtyp. “Mund të konfirmojmë se disa prej tyre janë të vdekur, por do të kthehemi dhe, siç thashë, do të flasim me këto familje, t’i njoftojmë dhe t’ua shpjegojmë situatën”, shtoi ai.

Identifikimi i atyre që supozohet se janë të zhdukur ose janë konfirmuar të vdekur po vazhdon ende.

Davis paralajmëroi për mundësinë e shpërthimeve më të vogla ndërsa ekipet e emergjencës përpiqen ta vënë nën kontroll zjarrin, por shtoi se autoritetet janë të sigurt se nuk do të ketë shpërthime të mëdha të tjera.

Autoritetet thanë se kompania po bashkëpunon plotësisht gjatë reagimit ndaj incidentit.