Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shpërthimi i dengës në Sri Lanka arrin nivel epidemie pasi rastet kalojnë...

Shpërthimi i dengës në Sri Lanka arrin nivel epidemie pasi rastet kalojnë 50.000

Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se Sri Lanka po përballet me një epidemi të dengës pasi numri i rasteve të konfirmuara ka kaluar 50.000 gjatë vitit 2026, ndërsa janë raportuar 29 viktima, transmeton Anadolu.

Kapila Kannangara, drejtor në detyrë i Njësisë Kombëtare të Kontrollit të Dengës, tha se vendi po regjistron mes 600 dhe 700 raste të reja çdo ditë, të nxitura nga kushtet e favorshme atmosferike, përhapja e gjerë e vendeve të shumimit të mushkonjave dhe pjesëmarrja e pamjaftueshme e publikut në përpjekjet parandaluese.

Sipas tij, autoritetet shëndetësore kanë zhvilluar një fushatë të posaçme për kontrollin e dengës në 600 zona me rrezik të lartë, të identifikuara si pika të nxehta gjatë sezonit të musonit jugperëndimor.

Operacioni u përqendrua në eliminimin e vendeve të shumimit të mushkonjave përmes aksioneve të pastrimit në komunitet dhe programeve të ndërgjegjësimit publik, me pjesëmarrjen e shkollave, autoriteteve lokale dhe institucioneve qeveritare.

Gjatë fushatës mbarëkombëtare u identifikuan mijëra vende të shumimit të mushkonjave.

Kannangara tha se autoritetet presin që masat e intensifikuara parandaluese të ulin numrin e infeksioneve në javët e ardhshme, por u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë eliminimin e ujërave të ndenjura rreth shtëpive dhe të bashkëpunojnë me inspektorët shëndetësorë.

Sri Lanka ka përjetuar disa shpërthime të mëdha të dengës në vitet e fundit, përfshirë më të rëndin në vitin 2017, kur u regjistruan më shumë se 186.000 raste dhe 440 viktima.