Shqetësuese, për një vit 140 nxënës u lënduan nga dhuna e ndërsjellë (Video)

Vitet e fundit një sfidë e madhe dhe problem serioz për shoqëritë moderne është interneti dhe ndikimi i tij në mbarë botën e veçanërisht tek fëmijët.
E një gjë e tillë po vërehet vitet e fundit edhe në Kosovë.

Një pjesë e madhe e fëmijëve kanë qasje në internet dhe luajnë lojëra elektronike të dhunshme, çka sipas ekspertëve po ndikon drejtpërdrejt në personalitetin e tyre.

Të rinjtë për kamerën tonë theksojnë se mbi 5 orë në ditë ia kushtojnë internetit dhe kryesisht lojërave që shfaqen aty.

Se kjo dukuri është në rritje flasin statistikat e Policisë, sipas të cilave nga viti në vit rastet e dhunës mes të rinjve kanë shënuar rritje.

Përderisa në vitin 2014 ishin të paraqitura 512 raste, në vitet vijuese 2015 u paraqiten 567, ndërsa në vitin 2016, 522 raste që kanë të bëjnë me dhunën tek të rinjtë. 140 raste përfunduan me lëndimet të ndryshme trupore.

Ndërsa Aida Musaku, mësuese në shkollën “Arsimi i Shqipërisë” theksoi se prej shumë vitesh që punon aty po vëren se nga viti ne viti fëmijët po bëhen më të dhunshëm si pasojë e videolojërave.

Ajo u bëri apel prindërve që të jenë më afër fëmijëve dhe të kontrollojnë informacionin që marrin fëmijët në internet.

Psikologu, Adem Shala, shprehet për kamerën tonë se është shumë e nevojshme që fëmijët të kontrollohen çfarë shikojnë, pasi ata emitojnë sjelljet e mësuara përmes këtyre videolojërave.

Ai theksoi se duhet një bashkëpunim më i madh mes shkollës dhe prindërve dhe të bëjnë më shumë.

Ekspertët e kësaj fushe bëjnë me dije për kamerën tonë se kjo dukuri po vjen gjithnjë e në rritje dhe është problem për shoqërinë në përgjithësi.