Shqipëri, 3 të vdekur dhe 165 raste të reja me COVID-19

Në Shqipëri janë regjistruar 165 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 3 persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend është rritur në 15.231 dhe numri i të vdekurve në 416, që nga fillimi i pandemisë.

Në orët e fundit janë shëruar 102 pacientë, duke e çuar në 9.406 numrin e të shëruarve, ndërkohë aktualisht në spitalet në Tiranë po trajtohen 232 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Institucionet shëndetësore në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë kanë kryer gjithsej 97.703 testime për personat e dyshuar me koronavirus.

Nga ana tjetër, gjatë një konferencë për mediat gjatë ditës së sotme kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, njoftuan se që nga java e ardhshme, konkretisht nga e enjtja, maska do të jetë e detyrueshme kudo jashtë shtëpisë, në çdo mjedis të mbyllur apo të hapur.

“Nga java e ardhshme maska do të jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë, restorantit apo barit kur je ulur në tavolinë për të konsumuar atë pjesë të kohës aty. Maska do të jetë e detyrueshme në çdo mjedis, në çdo rrugë, në çdo hapësirë publike”, ka theksuar kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu tha se vijojnë të forcojnë kapacitetet me mjekë dhe infermierë për t’iu përgjigjur çdo situate dhe sipas saj vijon trajnimi i mjekëve dhe infermierëve.