Shqipëri, vazhdon të rritet numri i rasteve me COVID-19

Në Shqipëri janë regjistruar 48 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e rritur numrin e përgjithshëm të rasteve pozitive në 1.464, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime dhe rastet pozitive janë regjistruar në Tiranë, Krujë, Durrës, Fier, Lezhë, Pukë, Kamëz, Gjirokastër dhe Elbasan, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sipas ministrisë, që i referohet Institutit të Shëndetit Publik janë shëruar edhe 5 pacientë duke e rritur numrin e të shëruarve në 1.039, ndërkohë 36 pacientë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë dhe aktualisht janë 389 persona aktivë me COVID-19.

“Ditët e fundit është vënë re rritje e numrit të rasteve në disa aktivitete biznesi, në institucione të ndryshme, në pjesëmarrje në ceremoni mortore dhe grumbullime. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara”, theksohet në njoftimin e ministrisë.

Në Shqipëri janë kryer gjithsej 20.132 testime dhe sipas institucioneve shëndetësore vazhdon puna e epidemiologëve në terren për gjurmimin e rasteve.

Për shkak të COVID-19 në vend vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe gjithashtu vazhdon edhe zbatimi i lehtësimit të disa masave që u vendosën në gjithë vendin.