Shqipëria-parajsë në duart e muratorëve të ferrit!

KIm Mehmeti

Shqipëria ende nuk e ka të qartë se kur është çliruar, se kur për të ka përfunduar lufta e Dytë Botërore – me 28, apo me 29 nëntor? Dhe ajo nuk e ka të qartë të shkuarën e vet sepse ka historianë të ‘majtë’ e të ‘djathtë’, por i mungojnë historianë të vërtetë, historianë që u përkulen fakteve, e jo punëdhënësve partiak.

Shqipëria dhe shqiptarët e atjeshëm, mbase do e ngatërronin edhe Ditën e Flamurit dhe atë të Pavarësisë së mëmëdheut, sikur kjo datë të mos e simbolizonte realizimin e ëndrrës mbarë shqiptare dhe, sikur ajo datë të mos kishte dalë nga thellësie shekullore e vuajtjes së mbarë shqiptarisë, nga vuajtja shekullore e shqiptarëve të mbetur jashtë dhe brenda kufirit të mëmëdheut.
Jo vetëm sa u takon ngjarjeve nga e shkuara, por edhe ndodhitë e sotme në Shqipëri, i mbulon paqartësia. Kështu për shembull, mbetet e paqartë se kush ishte nikoqiri i mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare mes Kosovës e Shqipërisë – Kryeministri i mëmëdheut, apo pasaniku i Elbasanit, që shet peshq e fruta deti, e blenë miqësi politikanësh.
Dhe sa i përket këtij takimi ndërqeveritarë, paqartësitë shkojnë edhe përtej sekretit se vallë atë e organizoi shitësi i peshqve, apo Kryeministri i Shqipërisë, i cili nuk prodhon asgjë, por siç duket, shet shumëçka. Pra, sa i përket këtij takimi ndërqeveritarë, nuk u kuptua se çka i duhen Kosovës e Shqipërisë këso lloj mbledhjesh të përbashkëta mes burrështetasve të tyre , kur kryeministri i mëmëdheut e mbështet ‘Ballkanin e hapur’ serb dhe, mbase më mirë do ndjehej sikur këto mbledhje të mbaheshin në Beograd se sa në Prishtinë, e nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, i cili mezi ia del ta luftojë antishqiptarinë e ‘vëllait’ serb të Piktorit.
Po pra, Shqipërisë mëmë ia kanë ngatërruar të kaluarën dhe ia kanë mjegulluar të sotmen e të ardhmen. Andaj edhe nuk merret vesh se çka ka të përbashkët tregtari i peshqve me mbledhjet ndërqeveritare dhe, çka prodhojnë, e çka shesin burrështetasit tanë, që pasurohen aq shpejt dhe aq shumë?
Por megjithatë, edhe në një Shqipëri të mbuluar nga mjegulla e paqartësive për të shkuarën dhe të sotmen e saj, ka diçka që shihet qartë, që nuk i pengon askujt dhe që nuk e fshehë askush: ajo nuk ka guxim të përballët me të shkuarën e vet të kohëve të Partisë së Punës, me çka do ia dilte ta përcaktonte saktë shëmtinë e vet tragjike, shëmtinë e vulosur në fytyrën e saj enveriste.
Dhe duke mos pasur guxim ta përcaktojë vetveten e kohëve të Enverit, ajo edhe sot mbetet vendi i vetëm pas socialist, të cilit nuk ia përcaktojnë fatin as të ‘majtët’ as të ‘djathtët’, por ‘nipat’ dhe adhuruesit e Xhaxhit Enver, e të cilët mbulohen me emblemat demokratike partiake si dhe, me votën e popullit? Gjë që do mund të merret si dëshmi se Shqipëria ishte e mbeti djep që mëkon e rritë diktatorë, se edhe me atë bukuri përrallore, ajo ishte dhe mbeti parajsë në duart e muratorëve të ferrit!

Nga Kim Mehmeti

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *