Shqiptarët, Shqipëria dhe Interesi Kombëtar

Mentor Beqa

Shqipëria politike është IDE, që u formua nga Rilindja Kombëtare si projekt politik për t’u objektifikuar në shtetin kombëtar që kishte për qëllim shkëputjen nga realiteti i tejkaluar perandorak dhe ripërcaptimin e shqiptarëve si entitet i vetëdijshëm politik në botën e re të populluar nga shtetet kombe. Reduktimi dhe objektifikimi i kësaj ideje përgjatë shekullit të 20-të dhe fillimit të shekullit të 21-të në kufijtë shtetërorë të Shqipërisë e ka fragmentuar atë në entitete objektive më të vegjël dhe më pak apelues duke zhbërë hap pas hapi aftësinë e saj për të ofruar përfaqësim gjithëpërfshirës, duke e bërë të papërshtatshme për të ofruar frymëzim dhe zgjidhje për sfidat dhe transformimet komplekse të shekullit të 21-të.

Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë

Interesi kombëtar, në literaturën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, shihet si një “çelës magjik”, i cili çel dyert e kuptimit të politikës së jashtme të shtetit dhe sjelljes së tij në sistemin ndërkombëtar. Ky koncept, që shërben si një princip udhëheqës për sjelljen e shtetit dhe për vendimmarrje në politikën e jashtme, shihet si fondamental në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të shkencave politike.

Interesi kombëtar përdoret në dy dimensione themelore: I) si koncept normativ që përcakton interesat e një vendi dhe, për pasojë, sjelljen e tij në arenën ndërkombëtare; dhe II) si koncept analitik në disiplinën marrëdhënieve ndërkombëtare për t’i analizuar pikërisht burimet e sjelljes së një shteti në marrëdhënie me të tjerët.

Në këtë artikull jemi të interesuar që ta shqyrtojmë kuptimin e parë, pra kuptimin normativ të interesit kombëtar, se çfarë përbën interes për një komb dhe si përcaktohet ky interes. Sepse, është e qartë që interes i kombëtar nuk është diçka e dhënë nga natyra, por është diçka që përcaktohet nga një zinxhirë kompleks vendimmarrjeje, që përfshijnë një seri faktorësh dhe aktorësh.

Në këtë pikëpamje interesi kombëtar është diçka shumë subjektive, pra diçka që i nënshtrohet debatit dhe është rezultat i një vendimmarrjeje subjektive, duke e bërë konceptin e interesit kombëtar të debatueshëm dhe subjektiv. Por, natyrisht, që ka elementë objektivë që e përcaktojnë mënyrën sesi një shtet i caktuar e përkufizon interesin e tij kombëtar në suazën e një strukture dinamike ndërkombëtare, në të cilën ky shtet është objekt dhe subjekt i trysnisë së saj, që në finalen e vet ndikon në mënyrën se si sillet shteti në nivel ndërkombëtar.

Këta faktorë variojnë nga ata objektivë, si pozita gjeografike, demografia, kapacitetet ekonomike, tek ato disi më subjektiv, si pozita relative e fuqisë në raport me vendet tjera, strukturat politike dhe sociale dhe karakteri kombëtar, përfshi ideologjinë dominuese, mjedisi ndërkombëtar dhe ajo çfarë është më e rëndësishme në rastin tonë konkret, përvoja historike në të cilën farkohet mënyra sesi një shtet e percepton rolin e tij në arenën ndërkombëtare.

Pra, së pari, interesi kombëtar ka karakter universal, sepse ka disa faktorë universalisht të njohur, të cilët ndikojnë në formulimin e tij, ndërkohë që ka karakter idiosinkratik, sepse përvoja historike e vendeve është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në mënyrën sesi formulohet ky interes.

Së dyti, interesi kombëtar është një koncept, i cili lidhet ngushtësisht me shtetin-komb, pra nuk mund të flasim për një interes kombëtar në kushtet paramoderne kur nuk ekzistonte një shtet i mbështetur mbi idenë e kombit, qoftë ky kulturor ose civil.

Së treti, interesit kombëtar nuk është një gjë e dhënë, por përcaktohet në një proces kompleks nga elitat vendimmarrëse të një shteti brenda kornizës së mënyrës sesi këto elita e perceptojnë interesin kombëtar në një kohë të dhënë në histori.

Mbasi kemi përcaktuar paraprakisht këto tre elementë, ne mund të ecim përpara për ta kuptuar mënyrën sesi është përcaktuar interesi kombëtar i shqiptarëve brenda kornizës së shtetit komb të Shqipërisë.

Shqiptarët, posaçërisht elita e tyre, fillojnë të mendojnë në termat e interesit kombëtar vonë në shekullin e 19-të dhe, kryesisht, kur Rilindja Kombëtare fillon ta projektojë idenë e një shteti kombëtar shqiptar.

Në mendimin e rilindësve tanë, sfera qendrore në përkufizimin e interesave të shqiptarëve ishte pikërisht kombi shqiptar, pra ky entitet që do të ngjizej nga një proces i kohezionimit të shqiptarëve dhe krijimit të vetëdijes politike të një kombi shqiptar. Shteti, brenda të cilit shqiptarët do ta realizonin vetveten si një entitet politik, do të ishte një instrument për mbrojtjen dhe prosperimin e kombit shqiptar, pra superstruktura e një strukture më të thellë, kombit. Siç duket qartë në mendimin e rilindësit tonë të madh Sami Frashëri, por edhe të rilindësve të tjerë, shteti do të ishte një entitet i rendit të dytë, pra i sferës së dytë, një entitet që do të garantonte për mbijetesën e entitetit të rendit të parë, që është kombi shqiptar.

Në këtë kontekst, Shqipëria politike është IDE, që u formua nga Rilindja Kombëtare si projekt politik për t’u objektifikuar në shtetin kombëtar që kishte për qëllim shkëputjen nga realiteti i tejkaluar perandorak dhe ripërcaptimin e shqiptarëve si entitet i vetëdijshëm politik në botën e re të populluar nga shtetet kombe.

Dështimi për të realizuar një prej kërkesave, që ishte parakusht i realizimit të projektit kombëtar, pra përputhjes së kombit me shtetin në vitet 1912-1913, ishte momenti i vetëm më i rëndësishëm dhe më ndikues në vetëpërfytyrimin që shqiptarët kanë në vijim për pozitën e tyre në rajon dhe më gjerë në rendin ndërkombëtar.

Kjo është ngjarja që transformon pozitën e shqiptarëve në rajon vis-a vis me vendet fqinje dhe në mënyrë të veçantë në raport me popujt kryesorë në Ballkan: grekët, serbët dhe bullgarët. Nga një ekuilibër thuajse natyror në pikëpamje të demografisë dhe të shtrirjes territoriale ndërmjet popujve kryesorë të atij që ne sot e njohim si Ballkani Perëndimor, pra shqiptarëve, grekëve, serbëve dhe bullgarëve, në fund të shekullit të 19-të kalojmë në një shpërndarje tërësisht asimetrike të demografisë dhe territorit e, për pasojë, edhe të fuqisë agregate.

Me vendosjen e kufijve të rinj politikë, pozita e pafavorshme e Shqipërisë në raport me fqinjët erdhi duke u thelluar. Pavarësisht rritjes së fuqisë absolute agregate, fuqia relative ka ardhur duke zbritur për shkak të rritjes relative më të shpejtë të vendeve fqinje. Kjo ka diktuar që pozita relative e fuqisë e Shqipërisë në raport me Greqinë dhe Serbinë të jetë inferiore. Këtu nuk është rasti për të shqyrtuar shkaqet objektive dhe subjektive të këtij zhvillimi, por fakti është se dobësia relative në raport me fqinjët ka bërë që Shqipëria, përgjithësisht, gjatë shekullit të 20-të të ishte vend i penetruar dhe ndikuar nga politikat e këtyre vendeve. Kjo dobësi relative ka krijuar disa paterna të qëndrueshme në politikën e Jashtme të Shqipërisë.

Më e rëndësishmja është se kombi zhvendoset nga entitet i rendit të parë, pra nga sfera kryesore e cila i përcakton sferat e tjera, në sferë të rendit të dytë, e përcaktuar nga interesat e një entiteti i cili i përket një sfere më të lartë, Shteti i Shqipërisë. Me krijimin e shtetit të Shqipërisë e në vijim fillon reduktimi dhe objektifikimi i idesë nacionale të rilindësve për Shqipërinë në kufijtë shtetërorë të Shqipërisë.

Në vijim, shteti fiton supremaci mbi kombin dhe shndërrohet në qëllim në vetvete, ku arsyeja shtetërore, pra arsyeja e mbijetesës së shtetit, del përmbi interesin kombëtar, siç ishte përcaktuar nga rilindësit tanë përpara se të krijohej shteti i Shqipërisë.

Në përfytyrimin e elitës politike shqiptare, sa më shumë kalojnë vitet përgjatë shekullit të njëzetë, ideja e shtetit merr përparësi ndaj idesë së kombit dhe, në mënyrë të veçantë, kjo konsolidohet gjatë sundimit komunist në Shqipëri ndërmjet viteve 1945-1991.

Tanimë tradita e raison d’état, e arsyes shtetërore, fillon dhe bëhet parimi organizativ, parimi udhëheqës i politikës së jashtme të shtetit shqiptar, i sjelljes së shtetit shqiptar veçanërisht në raport me vendet fqinje si Jugosllavia dhe Greqia. Siç parashtronte Hegeli, “shteti nuk kishte detyrë më të lartë sesa ajo e ruajtjes së vetvetes”. Kombinuar kjo me kushtet e regjimit totalitar, ky parim hegelian përkthehet jo vetëm si mbrojtje dhe mbijetesë me çdokush e shtetit, por edhe si mbijetesë me çdo kusht e regjimit shtetëror, në këtë rast e regjimit komunist të drejtuar nga Enver Hoxha. Pra, çështja kombëtare, nga një çështje e rendit të parë, tanimë kthehet në një çështje tërësisht epifemere, ku përparësi merr mbijetesa e shtetit dhe mbijetesa e regjimit.

Çështja kombëtare pushon së qeni parimi organizativ rreth të cilit do të duhet të organizohej dhe përkufizohej interesin kombëtar, por shihet si një barrë, pra si një rrezik që e kërcënon mbijetesën e shtetit. Kjo është arsyeja se përse Enver Hoxha përpiqet që me çdo kusht të krijojë bindje tek vendet fqinje se Shqipëria nuk kishte asnjë ambicie territoriale dhe se çështja shqiptare brenda kufijve politikë të këtyre vendeve trajtohej nga Shqipëria si çështje e brendshme e këtyre vendeve.

Regjimi komunist, me të gjithë instrumentet e vet, përpiqet ta shtrëngojë, ta kufizojë imagjinatën e shqiptarëve në shtrirjen gjeografike ndërmjet Konispolit dhe Vermoshit, jo vetëm si pika gjeografike skajore të Republikës së Shqipërisë, por edhe si skajet e shtrirjes së entitetit politik shqiptar. Shqiptarët jashtë kufijve territorialë të Shqipërisë politike thuajse asgjësohen nga përfytyrimi politik i shqiptarëve.

Paralelisht me këtë, lëshon rrënjë edhe ideja e bërthamë-periferisë mbi kombin, ku bërthama e kombit shqiptar gjendet brenda kufijve politikë të Shqipërisë, ndërsa popullsia shqiptare e mbetur jashtë kufijve përbën periferinë e kombit. Një ide e tillë ka natyrshëm pasoja të rëndësishme në orientimin e politikës së jashtme dhe e legjitimon sakrifikimin e periferisë për hir të mbijetesës së bërthamës.

Një qasje e tillë është e zakonshme në mendimin strategjik të perandorive, ku për shkak të tejshtrirjes, preferohet sakrifikimi i periferive për të mbrojtur bërthamën, madje në shumë raste, eksiztenca e periferive, vetë raison d’être e tyre, është për të garantuar mbijetesën e bërthamës. Por, një qasje e tillë në kushtet e kombeve moderne është shkatërrimtare. Vetë ideja e kombit prezumon një entitet politik homogjen të njëtrajtësuar në pikëpamje politike, kulturore, sociale dhe ekonomike, ku pjesët përbërëse krijojnë një strukturë homogjene, që i jep kuptim përkatësisë ndaj kombit.

Natyrisht, ky përfytyrim i cunguar dhe i shtrënguar për realitetin demografik, territorial, politik dhe etnik të shqiptarëve në rajon ka ndikuar në mënyrë përmbajtjesore në vijimësinë, edhe në ditët e sotme, të perceptimit të interesit kombëtar nën idenë e primatit të Shtetit të Shqipërisë ose të idesë së bërthamë-periferisë. Nëse e aplikojmë këtë kornizë për ta kuptuar dhe analizuar politikën e jashtme të shtetit të Shqipërisë, shumë qëndrime që duken anomali, në fakt përbëjnë rregullsi në sjelljen e shtetit shqiptar në raport me çështjen kombëtare shqiptare.