Shqiptari – një qenie që udhëhiqet nga instinkti për “me mbetë gjallë”!

Murat Aliu

Hysamedin Feraj, “E Pafilozofuara”, Zenit, Tiranë, 2011, 168 fq.

Shkruan: Murat ALIU, Prilep

Libri “E Pafilozofuara” i Hysamedin Feraj, 10 vjet pas botimit të tij të parë, akoma e ruan origjinalitetin dhe vlefshmërinë shkencore dhe akademike. Duke qenë kështu, paraqet një libër të cilin duhet lexuar e studiuar çdo intelektual që ka në fokus shkencat sociale dhe politike, veçmas ata të cilët janë të interesuar për mendimin politik, historiografik dhe social të shqiptarëve, por jo vetëm intelektualët dhe akademikët e mirëfilltë. Ky libër është i nevojshëm për çdo politikan vizionar shqiptar dhe për të gjithë ata që merren me problematikat e jetës publike, sepse në këtë vepër autori, duke përvetësuar metodën dekonstruktiviste, hedh dritë mbi shkakun ose shkaqet e problemit esencial të shqiptarëve, i cili është: mosqenia e tyre subjekt i historisë. Thënë ndryshe, Feraj në këtë libër hap shtigje të reja dhe vendos standarde të reja mbi leximin dhe interpretimin e mendimit social e politik të shqiptarëve. Prandaj ky lexim dhe interpretim dallon nga leximet edhe interpretimet e deritanishme. Duke bërë një qasje ndryshe, autori përpiqet të hedhë dritë mbi shumë çështje në lidhje me shqiptarët, të cilat në fakt deri më tani shumë pak janë thënë dhe të çmitizojë disa nga mitet kryesore në historiografinë shqiptare dhe në diskursin e përgjithshëm politik e social të shqiptarëve mbi shqiptarët.

Qëllimi i këtij libri është, ashtu siç thotë vetë autori, të bëjë filozofinë e të pafilozofuarës. Ky libër është një hyrje në filozofinë shqiptare dhe është një kritikë ndaj ideologjisë shqiptare. Feraj, duke përdorë një kuadër të mirëfilltë teorik, dhe nëpërmjet rekonstruktimit, përpiqet të bëjë një kritikë të diskursit dominues politik e social mbi qenien shqiptare, që ka dominuar të paktën nga fillimi i shekullit XX e deri më sot. Hipoteza kryesore e këtij libri është që të argumentojë që shqiptarët kurrë nuk kanë arritur të bëhen subjekt i historisë dhe kurrë nuk e kanë përjetuar lirinë në kuptimin e saj të plotë. Shqiptarët, gjatë gjithë historisë, duke u udhëhequr nga instinkti për të mbijetuar, për të ngelë gjallë dhe, rrjedhimisht, duke përvetësuar parimin e “përshtatjes” kurrë nuk kanë shkruar/bërë historinë, por rrjedha e historisë ka qenë ajo që e ka determinuar fatin e tyre. Duke qenë kështu, shqiptarët janë përshtatur “rrjedhës së historisë”, duke mos e vrarë mendjen që t’i kundërvihen asaj. Të prirë gjithmonë nga instinkti për të mbetur gjallë, shqiptarët nuk kanë arritur të prodhojnë as filozofi, as art, as kulturë, as mirëqenie ekonomike e sociale dhe në më fund as shoqëri civile dhe shtet të mirëfilltë.

Në pjesën e parë të librit autori e shtron çështjen e distancës dhe përçimit të shqiptarëve ndaj filozofisë dhe teorisë në përgjithësi dhe këtë përçmim ndaj filozofisë dhe teorisë e sheh si një fenomen negativ që ka ndikuar negativisht në determinimin e historisë së popullit shqiptarë. Mbase nga historiografia shqiptare mundë të nxirret copë-copë një farë mendimi filozofik shqiptar, por historiografia shqiptare, veçmas në periudhën komuniste, përbën një surrogat të filozofisë së mirëfilltë dhe si, e tillë, ka shuar subjektin vetëreflektues që mendon, që pyet për veten dhe, thënë shkurt, që problematizon. Në fakt, këtu Feraj e sheh rolin e historiografisë shqiptare në një konotacion negativ, sepse ndryshe nga filozofia e mirëfilltë kurrë nuk ka arritur që t’u përgjigjet pyetjeve historike të kombit shqiptar. Ndërkaq kritika themelore e autorit për historiografinë (socialiste) qëndron në atë se te shqiptarët e ka mbjellë besimin në fatalitet dhe determinizëm dhe kështu, në një farë mënyre, e ka parandaluar subjektivizimin ose shpërfaqjen e qenies shqiptare si aktor dhe subjekt në histori. Kjo historiografi gjithmonë i ka paraqitur shqiptarët si objekt, pasiv në përbërjen e historisë. Për shembull, në pyetjen madhore të shqiptarëve se pse jemi populli më i prapambetur në Europë, pse nuk kemi arritur të krijojmë një shtet të fortë ose pse nuk kemi vepra të shkruara në gjuhën shqipe për fusha të ndryshme etj., gjithmonë përgjigjja ka qenë “se pushtuesit e huaj na penguan” ose “sepse kemi qenë nën sundim” dhe motoja kryesore “sepse kështu na erdh historia”. Pra, për çdo pyetje historianët e kanë përgjigjen të gatshme pa pasur nevojë për të menduar, ndërsa këto përgjigje burojnë nga një mendësi e të qenit fatalist. Në fakt, kjo qasje e historianëve dhe historiografisë shqiptarë, por jo vetëm, me apo pavetëdije shqiptarët i përshkruar si një popull johistorik. “Sepse me përgjigjet ndaj pyetjeve themelore të shqiptarëve për veten ka themeluar një filozofi të vetëkuptimit si popull johistorik” (fq. 11). Mbase, ky gabim i pavetëdijshëm ose kjo mosnjohje e teorisë, e cila shpjegon se çfarë është populli historik dhe çfarë është populli johistorik, vjen nga fakti që historiografia shqiptare nuk ka pasur një pasqyrë të qartë mbi kuadrin teorik dhe këtë çështje e ka barazuar me të qenët i vjetër në kohën kronologjike. Ndërkaq ky supozim thelbësisht është i gabuar, sepse të qenit një popull i lashtë, siç janë shqiptarët si pasardhës të ilirëve dhe ilirët të pellazgeve, s’ka të bëjë me nocionin e popullit historik. Nocioni i popullit historik ka të bëjë me atë popull i cili ka bërë historinë dhe jo e kundërta, siç ka ndodh me shqiptarët, të cilët gjithmonë janë përshtatur ndaj rrjedhave të historisë. Në të gjitha pyetjet themelore, që kanë të bëjnë me të kaluarën e shqiptarëve (pse jemi të ndarë në disa shtete?; pse nuk mund të bashkohet Shqipëria dhe Kosova në një shtet?), përgjigjja e cila jepet është: “historia kështu erdhi…!. Kjo moto nënkupton që shqiptarët në histori kanë qenë objekt pasiv dhe gjithmonë janë përkulur para ngjarjeve historike. Në momentin kur mungon subjekti që vepron, determinon ose përcakton s’ka se si të jesh popull historik. Dhe, shprehja “kështu na erdhi historia` është përmbledhja e gjithë karakteristikave të tjera vetkuptuese të shqiptarëve si popull: i shpjegimit ndaj ankesave pse jemi keq, i legjitimimit të gjendjes pse jemi keq, i krenarisë se kemi arritur të ruajmë ekzistencën” (fq: 14).

Në pjesën e dytë të librit, të titulluar “Kafsha dhe Njeriu”, autori – duke përdorë kuadrin teorik të filozofisë politike dhe shkencave të tjera sociale – mëton të bëjë dallimin ndërmjet kafshës dhe njeriut si qenie politike dhe sociale. Feraj mendon se qëllimi kryesor i filozofisë është që të nxjerrë njeriun nga bota e determituar, karakteristike për kafshët. Ajo që e dallon njeriun nga kafsha nuk është parimi i determinizmit dhe instinkti për mbijetesë. Sepse njeriu është qenie që krijon, mendon dhe është e vetmja qenie e cila e tejkalon nevojën për mbijetesë. Duke u nisur nga ky kuadër teorik, ideja e autorit është të theksojë se shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre janë udhëhequr nga instinkti për mbijetesë dhe gjithmonë e kanë pranuar fatalitetin si të tillë. Kësisoj, Feraj vlerëson se, gjatë historisë, autoritetet shqiptare i kanë reduktuar shqiptarët në një qenie shtazore dhe darviniane. Ai e mbështet këtë argument duke dhënë shembuj të shumë intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë, të cilët “mbijetesën” e shqiptarëve nga asimilimi, asgjësimi ontologjik, e interpretojnë si një arritje e madhe e tyre. Ndërkaq instinkti për mbijetesë është edhe karakteristikë e kafshëve. Një paradigmë tjetër e ideologjisë shqiptarë ka qenë edhe “përshtatja me situatën” ose përshtatja me rrjedhat e historisë, e cila është imponuar nga jashtë. Për autorin, ky fakt dhe ky diskurs në historinë shqiptare nuk ka bërë gjë tjetër, përveç që e ka reduktuar qenien shqiptare ne qenie darviniane. Gjithashtu qenia shqiptare është reduktuar edhe në qenien hobsiane, sepse Hobsi, siç dihet, është filozofi i instinktit për mbijetesë dhe racionalitetit instrumental. Këtu do të doja të bëj një digresion dhe të ndërlidhem me dy nocionet e njohura të Aristotelit: “të jetosh” dhe “të jetosh mirë”. Për Aristotelin, meqenëse njeriu është një qenie politike dhe shoqërore, nuk mundë të reduktohet vetëm në qenie biologjike. Pra, qëllimi final i njeriut nuk është vetëm “të jetojë” (të mbijetojë biologjikisht), sepse këtë instinkt dhe nevojë e kanë edhe kafshët. Përkundër kësaj, njeriu është një qenie që e synon “jetën e mirë”. Pra, përveç, nevojave biologjike, njeriu ka nevojë edhe për të mira te natyrave tjera, jomateriale. Njeriu është qenie që udhëhiqet nga morali, etika, është qenie racionale, e virtytshme dhe qenie që mund të krijojë shtetin, shoqërinë civile, të prodhojë kulturë, artë, shkencë etj., ndërsa qenia hobsiane është e privuar nga të gjitha këto virtyte e vlera. Njeriu hobsian jo që është i privuar nga arsyeja dhe morali, por duke u udhëhequr nga instinkti për mbijetesë, arsyen dhe moralin i sheh si vegla për ta realizuar qenien instinktive. Në këtë kuptim reduktimi i njeriut në instinkt dhe reduktimi i arsyes, racionalitetit dhe moralit në instrumente të instinktit e bëjnë të pamundur “kontratën”, rrjedhimisht edhe shoqërinë civile dhe shtetin. Në këtë kontekst autori thekson që shqiptarët, pikërisht duke u udhëhequr nga instinkti për mbijetesë, nuk kanë qenë të zotët të krijojnë ndonjë polis, shtet a shoqëri civile të veten dhe nga vetja, edhe pse kanë jetuar brenda shoqërive civile dhe me shtet. Nga ana tjetër, jo që kanë qenë të privuar nga arsyeja, por kjo arsye gjithmonë ka qenë instrumentale dhe, si pasojë, kanë arritur që si individ të tillë, t’i shtinë në dorë pushtetet, shoqëritë civile, shtetet e mëdha, madje edhe ato perandorake, atëherë kur i kanë gjetur të gatshme nga të tjerët.

Një çështje tjetër të cilën e prek autori është përjetimi i lirisë nga shqiptarët. Feraj mendoj se shqiptarët janë udhëhequr nga koncepti i lirisë hobsiane, e cila manifestohet në formën e kënaqjes së papenguar e orekseve… Orekset janë lëvizje të vogla kimike në trupin e njeriut dhe shtazës që vënë në lëvizje kah ushqimi si plotësim dhe përmbushje e oreksit instinktiv për të ngrënë. Kësisoj, qasja hobsiane është se njeriu është i lirë sa kohë nuk pengohet prej jashtë të lëviz kah objekti i oreksit. Ndërkaq njeriu e dëshmon veten si qenie e lire atëherë kur ekzistojnë pengesat, por në saje të fuqisë së lirisë, si qenia e themeluar mbi të, arrin t’i mposht pengesat jashtë tij dhe ta realizojë veten e lirë. “Liria hobsiane”, e tretur te shqiptarët si orekset e instinktit dhe si dëshirë për pushtet dhe si konceptimi më i thjeshtë, por edhe më i gabuari i lirisë, ka tretur nga shikimi shumë kuptime të tjera të saj. Ky lloj konceptimi i lirisë tek shqiptarët mund të vërehet në dëshirat e tyre për pushtet personal e material, në dëshirat e tyre për t’u larguar nga vendet e tyre dhe për të shkuar diku jashtë me qëllim të pasurimit dhe fitimit të pushtetit ekonomik. Ndërkaq aftësia e shqiptarëve për t’u përshtatur në sistemet e huaja, e cila shpeshherë na shitet si një aftësi për të jetuar në shoqëri të civilizuara, nuk e dëshmon lirinë për t’i krijuar, lirinë si krijim i tyre dhe bërje prej tyre. “Koncepti i përshtatjes ende i lë shqiptarët në kategorinë darviniane të përshtatjes së bimëve dhe të kafshëve, si përgjigjje e determinuar e tyre ndaj ndryshimeve të mjedisit të jashtëm (fq. 34). Autori, për ta argumentuar këtë tezë, merr si shembull mënyrën e të konceptuarit të lirisë dhe jetësimin e saj në socializëm, Në socializëm liria u shpall dhe njeriut iu njoh edhe liria: të qenët “subjekt”, “i lirë”, “krijues”. U shpall “qenie aktive”. Por, kjo liri e shpallur qëndron nën vërejtjen kërcënuese për të mos harruar kurrë se realiteti objektiv, si natyrë, si shoqëri dhe si histori, është “përcaktues”, ndërsa njeriu dhe ndërgjegjja e tij “të përcaktuar”. Këtu shtrohet pyetja si mund të jetë njeriu i lirë kur gjithçka është përcaktuar e determinuar nga realiteti objektiv. Liria nuk mund të ekzistojë aty ky gjithçka është e determinuar.

Në pjesën e tretë të librit të titulluar “Shenja e njeriut: liria” autori përpiqet të bëjë të ditur se ajo që njeriun e bën njeri është lira e mirëfilltë. Për ta kuptuar “lirinë e mirëfilltë” autori i shtron botëkuptimet për lirinë të filozofëve gjermanë, siç është Kanti, Hegeli dhe Haiddegeri. Natyrisht, në përputhje me këtë kuadër teorik Feraj hedh dritë mbi konceptimin e gabuar të lirisë tek shqiptarët, i cili në fakt gjatë gjithë historisë i ka mbajtur të robëruar ata. Duke u ndërlidhur me atë që thamë në pjesën e mëparshme, Feraj thekson që liria e njeriut qëndron në “të panatyrshmen”, në atë çka nuk gjendet në natyrën e determinuar ose në botën e kafshëve. Thënë ndryshe, liria është një përjetim që fitohet duke e tejkaluar instinktin për mbijetesë dhe determinizmin historik. Prandaj edhe Feraj bën thirrje për heqje të perdes së determinizmave të ndryshëm shqiptarë mbi “pasqyrat e lirisë” si një ofertë për te liria. Në këtë kuptim njeriu kantian, sipas autorit, realisht përfaqëson një ndarje radikale të njerëzores nga shtazorja. Sepse, brenda kantianes, njeriu del tej ruajtjes së jetës biologjike si vlerë në vete. Vlera e jetës njerëzore assesi nuk mund të gjendet në natyrë. Në natyrë nuk ka vlera. “Nëse jeta njerëzore mund me pas ndonjë vlerë, mundet dhe duhet të gjendjet veçse në mbretërinë e vlerave, në botën ku ka kuptim vlerësimi, ku ka kuptim kërkesa “duhet”, dhe “fajësimi” (f. 60). Sepse fjala “duhet” në filozofinë kantiane dhe në gjithë filozofitë morale është “duhet” morale dhe kësisoj dallon nga “duhet” e determinuar. “Duhet” morale kërkon të bëhet diçka nga pozicioni i lirisë së njeriut, nga urdhri i lirisë. Prandaj nëse nuk vepron në përputhshmëri me këtë, “duhet” lind edhe “fajësimi”, sepse kjo prezupozon bërjen ose mosbërjen e diçkaje, që në fakt e tregon edhe lirinë e individit. Përkundrazi, “duhet” natyrore është determinuese edhe për njeriun dhe, kësisoj, nuk lind e drejta e “fajësimit”. Sepse, aty ku gjithçka është e determinuar, mungon liria e veprimit dhe, rrjedhimisht, edhe fajësia. Mungesa e ndonjë diskutimi moral dhe etik në mendimin politik shqiptar është historike, sipas autorit, dhe në historinë shqiptare nuk gjendet ndonjë doktrinë morale, e përpunuar, e diskutuar dhe e publikuar. Njeriu kantian është qenie e përcaktuar fenomenale, si të gjithë qeniet e tjera të kësaj bote, ndërsa si veprues praktik në botë është qenie e lirë, e themeluar dhe vetënjohur në arsyen praktike. Ndërkaq, arsyeja praktike, duke qenë apriori shenjë e njeriut, është sponatalitet, liri absolute dhe kjo liri qëndron përtej “lirisë negative” dhe asaj “pozitive”. Liria, në kuptimin kantina, gjendet vetëm në ligjin e lirisë, i cili mund të shquhet vetëm nga arsyeja e pastër praktike: absolutisht e pastër nga çdo gjë empirike, fenomenale, qofshin këto jashtë ose brenda individit, si ndjenja, emocione, dëshira, instinkte etj. Njeriu kantina, i themeluar mbi lirinë, moralin dhe vullnetin e lirë, e koncepton veten si një qenie e pajisur me dinjitet moral, sepse e ka aftësinë e gjykimit moral. Si qenie morale, njeriu kantian nuk mund të përdoret si mjet, por vetëm si qëllim dhe prandaj njeriu kantian është i detyruar të veprojë në drejtim të së mirës së tjetrit. Sepse, arsyeja praktike është universale. Ndërkaq njeriu darvinian dhe hobsian është i privuar nga kjo arsye.

Njeriu shqiptar, gjithashtu, paraqet kuadrin të njeriut hegelian, sepse sipas Ferajt, shqiptarët gjithmonë kanë pasur një mungesë gatishmërie për t’u vetësakrifikuar në emër të jetës etike, komunitetit etik dhe shtetit shqiptar. Në filozofoinë hegeliane sakrifica për individualitetin e shtetit është marrëdhënie substanciale e anëtarëve të tij dhe, kësisoj, një detyrë universale.“Si qenie që mendon, si qenie e lirisë së arsyes dhe vullnetit njeriu hegelian është subjekti që e bën botën dhe historinë e vet. Është veprues në botë, në marrëdhënie me botën, dhe jo subjekt i mbyllur (ego) tërësisht në vete, pa mundësi të daljes jashtë” (f. 70). Ndërsa shteti, për Hegelin, është kulmi i arritjes së njeriut racional dhe të lirë. Në filozofinë hegeliane vetësakrifikimi i individit “për shtetin” ka kuptim vetëm si vetësakrifikim i njeriut për realizimin e esencës së vet, sepse shteti manifeston realitetin e lirisë në botë dhe se esenca e njeriut është liria. Si shpalosje e idesë së lirisë në botë, shteti i kërkon njeriut, si e drejtë dhe detyrë, ta respektojë si “hyjnoren-në-tokë”, sepse shteti është “ecja e Zotit në tokë”. Prandaj shqiptarët nuk mund ta shpërfillin këtë detyrë dhe të drejtë, duke përbrendësuar një filozofi johegeliane. Nga ana tjetër Feraj shpreh shqetësimin se shqiptarë nuk kanë qenë dhe akoma nuk janë të gatshëm ta sakrifikojnë veten për shtetin e tyre: madje, “shqiptarët duken të gatshëm të vdesin për hiçgjë dhe të mos vdesin pikërisht për idenë e lirisë”. (f. 75) Për këtë shpërfillje të shqiptarëve ndaj lirisë dhe shtetit si manifestin i lirisë Feraj i jep shembull mendimet e intelektualëve të mëparshëm shqiptarë, të cilët e kanë ndarë po të njëjtën bindje. “Ka qenë një shqetësim i shumë intelektualêve se shqiptarët shfaqin mungesë e gatishmërisë me vdekë për idenë e lirisë, për diçka më lartë se ekzistenca e drejtpërdrejtë natyrore…” (f. 75). Në këtë kuptim Faik Konica shkruante: “Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit…”(f. 75.) Përkundër kësaj, janë prezente variacione të “antihegelianizmit” shqiptar, të cilat janë të pafilozofuara. Edhe pse tek shqiptarët ka ekzistuar njëfarë filozofimi materialist, ky filozofim është marrë i gatshëm si send përdorimi nga interpretimi rus i marksizimit. Ky filozofim apo antihegelianizëm nënkupton zëvendësimin shqiptar të vullnetit me tekën si shfaqje fenomenale e një vetie të së gjallës për të “zgjedhur” ndërmjet sendeve në botë. Për dallim nga vullneti, i cili ka aftësinë për të zgjedhur, teka zgjedh të determinuarën, nën udhëheqjen e sendeve dhe shtysave të ndryshme drejt tyre, si instinktet, dëshirat (orekset), ndjenjat etj. Teka nuk njeh një parim, normë ose rregull të vetin. Motoja “kështu na erdh historia” nuk paraqet gjë, përveçse zëvendësimi shqiptar i subjektit me objektin e historisë. Shqiptarët vetëm se janë përshtatur ndaj saj, ashtu si qeniet e gjalla ndaj ndryshimeve të mjedisit.“Dhe njëlloj, ‘kemi arritur t’i bëjmë ballë asimilimit’, ‘të ruajmë ekzistencën’ e ‘të mos zhdukemi’, sic janë shuar shumë popuj të tjerë. Dhe natyrisht, specie të tjera të gjalla” (f. 84).

Njeriu shqiptar, gjithashtu, paraqet antitezë të njeriut haidegerian. Në filozofinë haidegeriane njeriut, si çelnajë, dallohet nga kafsha si mbyllje. Ndonëse njeriu nuk e fiton identitetin e vet në saje të dallimit nga kafsha, kthjellimi i kuptimit të njeriut, nëpërmjet këtij dallimi, është njëfarë ilustrimi i domethënies së njeriut si Dasein i Heidegger-it. Dasen është mënyra e qenies si “lirishtë”, “çelnajë”, hapësira saj, të cilës dhe në të cilin qenia e shpalos vetën, lë të shihet, në të cilën qenia merr qenësimin e saj, në botë. (f. 99). Përkundër kësaj, qenësimi shekullor shqiptar është gjerësisht i mbyllur në instinktin e mbijetesës përballë pushtuesve dhe asimilimit. Vetë konceptimi shqiptar është i themeluar mbi këtë filozofi të mbyllësisë, robëruar, përthithur nga “konteksti”, domethënë mjedisi jashtë të cilit nuk mund të kapërcejnë. Në Shqipëri, që nga gjysma e dytë e shekullit XX, shqiptarët u përthithën dhe trullosën tërësisht nga kushtet/ligjet objektive të natyrës, të mendimit dhe të historisë. Nga ligji i ecjes përpara kah shoqëria socialiste dhe komuniste. Në këtë kontekst ngufatja shqiptare nuk ishte fizike, por përtej kësaj ishte një ngufatje botëkuptimore, një mbyllje brenda ligjeve objektive.

Në pjesën e katër, të të titulluar “Vëllazëria” Feraj shtron çështjen e problemit shqiptar dhe ky problem, sipas autorit, është i njohur: pa traditë, pa trashëgimi, pa histori në marrëdhëniet me teorinë, të përthithur prej çka është krijuar tanimë teorikisht nga të tjerët, njëlloj si janë përthithur praktikisht nëpër logose, histori dhe botë të krijuara po nga të tjerët. Në marrëdhënien a-teorike dhe antiteorike me teorinë, si mjet thjesht i rritjes së pushtetit personal në shërbim të instinktit “me mbetë gjallë”, një problem shqiptarë është “rendja pas: bota po shkon kah…” dhe besimi se “kah po shkon bota” ia tregojnë shkenca dhe teoritë që bota sigurisht i ka. Pra, filozofia e qenies shqiptare gjithmonë ka qenë ta ndjekë botën qorrazi, kështu duke e desubjektivizuar veten e saj. Ndërsa pa qenë vetja, sipas Ferajt, nuk mund të ecet as në rrugën që është e botës. Ecja kah krijimi i kombit dhe shtetit kombëtar, kah komunizmi, kah demokracia liberale dhe ekonomia e tregut, kah kozmopolitizmi, kah BE-ja, të gjitha këto… kurrë nuk janë dëshiruar në të vërtetë. Dhe, me të drejtë, Feraj e parashtron pyetjen se çka i ka penguar shqiptarët drejt këtyre qëllimeve? Ajo çka pengon është se shqiptarët nuk janë vetja në këtë dëshirë. Për shembull, ta zëmë se shqiptarët e dëshirojnë anëtarësimin në BE, por nuk e duan, nuk e vullnetojnë. Në dëshirën shqiptare BE-ja janë sendet jashtë tyre, që shqiptarët i dëshirojnë për t’i ngopur orekset. Ndërsa ashtu siç u përmend dëshira si oreks, ajo është jashtë natyrës së njeriut. Prandaj dëshira, pa qenë vetja e themeluar në vullnetin e vet, krejt të lirë, nuk mjafton. Pra, pa qenë të gjitha këto është e pamundur arritja në shkallën e të qenit subjekt i historisë. Vullneti është aftësia specifike e njeriut për t’u shkëputur nga çdo gjë e jashtme, nga çdo dëshirë, send ose objekt i dëshirës. Kësisoj, shqiptarët – duke mos arritur ta harmonizojnë dëshirën dhe lirinë për të qenë vetja – gjithmonë na dalin si një popull i vonuar. Të vonuar për të krijuar shtetin kombëtar, të vonuar drejt integrimit në BE-, të vonuar në ndërtimin e një shtetit të mirëqenë, të vonuar në bashkimin kombëtar etj. Pra, dallimi ndërmjet dëshirës dhe vullnetit është i rëndësishëm për ta kuptuar çdo “vonesë” shqiptare në histori. Jemi të vonuar në gjithçka, sepse gjithmonë kemi nxituar të shkojmë “kah po shkon bota”, duke e harruar veten.

Në kapitullin e fundit të libri, të titulluar “Lavdia e Skllavit”, autori kritikon frazat e shumë përmendura dhe shumë shkruara “Shqiptarët kanë një histori të lavdishme”, duke theksuar se këto fraza nuk janë asgjë, pos produkt i një vetëdije skllavërore. Ai, duke tërhequr një linjë paralele me moralin e skllavit dhe këtë diskurs të shqiptarëve, në mënyrë direkte thekson moralin dhe etikën skllavërore të shqiptarëve. Shqiptarët, gjithmonë, janë krenuar me historinë, të cilën s’e kanë bërë vet, por të tjerët. Sepse në “pasqyrën e filozofisë” niçeane, shprehja, “historia jonë është e lavdishme”, duke ditur se është historia e të qenët 2000 vjet nën pushtim, është lavdi për të qenët nën pushtim dhe robëri. Lavdia e të robëruarit dhe të skllavëruarit, siç shprehen historianët, “ e lëngimit të popullit tonë nën skllavërinë shekullore (f. 155). Për autorin, sot shqiptarët e quajnë një histori të lavdishme, e cila në fakt ka qenë një histori skllavërore dhe, në këtë kuptim, ky nuk është asgjë tjetër, përveçse një moral dhe etikë skllavërore. Të lavdërosh faktin e të qenit objekt i historinë dhe pamundësinë e të bërit të historinë s’ka se si të interpretohet ndryshe. Lavdinë e skllavit nuk e shpreh më pak thënia vetëlavdëruese shqiptare, si dije universitare, politike dhe si doksë, se “ne nuk kemi pushtuar kurrë ndonjë popull tjetër” (f. 156). Ngritja e një vlere të tillë nuk paraqet “lavdi të moralit skllavëror” vetëm në kuptimin niçean, por edhe për botëkuptimin liberal. Sepse, për moralin liberal të luftosh paraqet një virtyt politik. Dhe, jorastësisht sot në botën liberal perëndimore ekziston një respekt për Serbinë si shtet që zhvilloi luftërat ballkanike dhe një lloj mëshire për shqiptarët, por jo edhe ndonjë respekt të veçantë për ata. Shqiptarët, gjithashtu, vazhdojnë të lavdërohen se “në shekuj i shpëtuan asimilimit dhe zhdukjes”, a thua se është fjala për qeniet darviniane që kanë “qëllimin” më të lartë mbetjen gjallë dhe ruajtjen e llojit. Ruajtja e jetës, mbetja gjallë, përkundër rrezikut të asimilimit dhe zhdukjes, është ajo që e bën skllavin skllav.

Ashtu siç u përmend më lart, ky libër – përveçse ka një vlerë shkencore dhe hedh dritë mbi historinë e “të pafilozofuarës” shqiptare – po ashtu është i një rëndësie të madhe kur kemi parasysh që problematikat e shtruara aty akoma sot e kësaj ditë vazhdojnë. Sot në botën shqiptare ky botëkuptim, në rend të parë për historinë e tyre, për vetën e tyre, për filozofinë dhe teorinë, akoma e sundon diskursin shkencor dhe politik. Ndërkaq, autori – nëpërmjet këtij librin – bën thirrje për një rishikim të tërësishëm ndaj këtij botëkuptimi dhe disi bën thirrje për një rikthim tek “vetja”, tek qenia e lirë nga çdo ndikim i jashtëm, i cili mundë të vijë në formë të fataliteteve ose determinizmave. Sot shqiptarët akoma vazhdojnë të jetojnë të varfër, vazhdojnë të jetojnë në shtete të korruptuara, vazhdojnë të jetojnë në shtete të ndara, vazhdojnë të trokasin para dyerve të BE-së, por të padëshiruar atje. Të gjitha këto “dështime”, sa i përket çështjeve esenciale të kombit shqiptar, me të drejtë i miratojnë edhe hipotezat kryesore të këtij libri, por edhe këtë thirrje të autorit, të cilën ne e cilësuam si një thirrje për “kthim kah vetvetja dhe kah liria e mirëfilltë”. /shenja