Shqiptari ofron kafe falas për inat të Donald Trump (FOTO)

Një emigrant shqiptar ka tërhequr vëmendjen e medieve amerikane. “Washington Post” shkruan se pronari shqiptar i një bari ofron kafe falas për të gjithë haitianët, salvardorianët dhe afrikanët pas deklaratës së Presidentit Trump se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të pranojnë emigrantë nga “vende halesh”. Shqiptari mirëpret më një filxhan kafeje falas edhe norvegjezët për të cilët presidenti ka shprehur dashamirësi.

“Emigrantët vijnë këtu për të shtuar diversitetin dhe për ta bërë Amerikën atë që është –thotë Gjergj Dollani. 40-vjeçari është pronar i “Cafe Chocolat”, lokal i hapur 4 muaj më parë në Washington.

“Unë besoj te Amerika” – tha Dollani që tregon se ka mbërritur në SHBA në vitin 1994 me programin e Lotarisë. Në atë kohë sipas tij Shqipëria sapo kishte dalë nga blloku komunist. Shqiptari ka marrë një diplomë nga Universiteti i Illinois duke u bërë çokolatier. Jetoi 1 vit në Francë të merrte zanatin.

“Prindërit e mi deshën një jetë më të mirë dhe morën rrezikun. Kjo është shtëpia jonë tani. Unë kam kaluar më shumë kohë këtu se sa në Shqipëri” – tha Dollani.