Ekzistojnë shtatë kapërcime cilësore për të cilat umeti musliman ka nevojë, me qëllim realizimin e ringritjes së dëshiruar qytetëruese; rifillimin e rolit të tij udhëheqës global me përmasë njerëzore dhe përmbushjen e misionit të dëshmisë mbi njerëzit.
Këtu do të paraqesim pikat dhe treguesit më të rëndësishëm të këtyre kapërcimeve, duke respektuar kufijtë e hapësirës që lejon ky artikull.
Së pari: Kalimi nga “idhujtaria” në rabbanijje (orientimi hyjnor)
Dëshmia “La ilahe il-lAllah” është dëshmia më e madhe e çlirimit njerëzor; ajo e nxjerr njeriun nga adhurimi i njerëzve drejt adhurimit të Zotit të njerëzve. Ajo është hyrja themelore për formimin e njeriut, i cili e thërret tek Allahu me vetëdije të qartë dhe me një busull të saktë në rrugën drejt Allahut dhe jetës së përtejme.
Nën këtë titull përfshihet përqafimi i Islamit si besim, mendim, metodologji dhe sjellje; si dhe çlirimi nga “adhurimi” i idhujve të epshit, dëshirës, pasurisë dhe shenjtërimit të liderëve, apo çdo “idhulli” tjetër material apo shpirtëror.
Kur njeriu beson se jeta dhe vdekja janë në dorën e Allahut, se furnizimi është në dorën e Allahut, se dobia dhe dëmi janë në dorën e Allahut dhe se asgjë në qiej e në tokë nuk ndodh veçse me caktimin e Tij, atëherë ai nuk i frikësohet as liderit, as mbretit, as drejtorit, as kundërshtarit, as armikut. Në atë moment ai zotëron elementet e forcës, dinjitetit, guximit, durimit, sakrificës, mbështetjes tek Allahu dhe llogaritjes së shpërblimit prej Tij; si dhe fiton aftësinë për të menduar, për të marrë nisma dhe për të krijuar në mënyrë pozitive, larg frymës së humbjes, frikës, përtacisë dhe frikacakërisë.
Ky kapërcim përbën bazën themelore për çdo ringritje qytetëruese dhe për çdo ndërtim të ekuilibruar civilizues, sepse ai vendos rregullat e harmonisë ndërmjet shpirtit dhe materies, rregullon marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe Krijuesit të tij, si dhe ndërmjet njeriut dhe gjithësisë, duke përcaktuar përparësitë dhe misionet e tij madhore në jetën e kësaj bote.
Së dyti: Kalimi nga dobësia në hilafet (mëkëmbësi në tokë)
Ky është kapërcimi që lidhet me zotërimin e elementeve të forcës dhe me ngritjen e cilësive, kushteve dhe standardeve subjektive e objektive, për të merituar përmbushjen e misionit të hilafetit në tokë.
Umeti ka vuajtur për shekuj me radhë nga rënia politike, shoqërore, ushtarake, ekonomike dhe shkencore; ka paguar çmimin e sundimit trashëgimor dhe të sundimit tiranik, çmimin e përçarjes dhe fragmentimit politik; ka vuajtur nga ngurtësimi në fikh dhe nga dobësimi i fikhut të prioriteteve, fikhut të çështjeve të reja dhe fikhut të realitetit. Gjithashtu ka vuajtur nga shfaqjet e luksit, plogështisë dhe largimit nga xhihadi; duke humbur rolin udhëheqës dhe aftësinë për krijimtari qytetëruese. Shumica e vendeve të saj, sidomos në dy shekujt e fundit, iu nënshtruan kolonializmit perëndimor dhe përjetuan një tjetërësim qytetërues.
Ka ardhur koha që ky umet të zotërojë elementet e forcës që lidhen me fuqizimin e fesë së Allahut dhe realizimin e hilafetit. Këto elemente nuk realizohen veçse përmes tipologjisë së “të fortit dhe të besueshmit”, përmes robërve të Allahut me vendosmëri të fuqishme, përmes udhëheqjes besimtare dhe strukturave institucionale konsultative (shura). Ato kërkojnë gjithashtu daljen nga kompleksi i mahnitjes ndaj Perëndimit, ndërtimin e vetëbesimit dhe aftësinë për të ofruar modelin më të lartë qytetërues njerëzor. Duhet theksuar se hilafeti nuk kufizohet vetëm në aspektin politik, por shtrihet në dimensione të ndryshme qytetëruese: besimore, edukative, intelektuale, kulturore, shoqërore, shkencore etj.
Së treti: Kalimi nga “shkuma” në cilësinë misionare
Ky është një kapërcim që kërkon ndryshim cilësor në formimin psikologjik të njeriut musliman, veçanërisht në fushën e interesave, prioriteteve dhe mënyrës së shfrytëzimit të kohës, energjive dhe aftësive.
Siç na ka treguar Muhammad (a,s), ne jemi bërë një umet ndaj të cilit kombet vërsulen siç vërsulen ngrënësit mbi sofrën e tyre. Ne jemi shumë në numër (rreth dy miliardë e pesëdhjetë e pesë milionë në vitin 2025), por jemi “shkumë si shkuma e përroit”, pasi dobësia ka pushtuar zemrat tona për shkak të dashurisë për dynjanë dhe urrejtjes ndaj vdekjes.
Ky umet, i goditur nga qeveri të korruptuara e despotike, të nënshtruara ndaj ndikimit të jashtëm, vuan nga përhapja e “banalitetit” në të gjitha format e tij; nga rënia e standardeve të sjelljes; nga mbizotërimi i prirjes materialiste konsumatore; nga kultura e argëtimit bosh dhe triumfi i dukjes mbi thelbin; nga kultura e kënaqësisë së çastit; nga zhveshja e njeriut nga kuptimi i ekzistencës dhe misionit të tij në jetë, si dhe nga zbrazja e tij prej referencës morale. Jeta e tij shndërrohet në një jetë konsumuese, jo prodhuese. Si pasojë, ai bëhet i manipulueshëm, i kolonizueshëm, i nënshtrueshëm ndaj armiqve; lehtësisht i orientueshëm nga regjimet, tregu apo media… duke u reduktuar në një numër, një mjet, një mall, në “shkumë”.
Prandaj, kapërcimi cilësor këtu nënkupton kalimin nga gjendja sipërfaqësore e “shkumës” në gjendjen misionare, ku njeriu realizon objektivat e ekzistencës së tij: adhurimin e Allahut, vendosjen e drejtësisë, përhapjen e së vërtetës dhe ndërtimin e tokës. Është gjendja që e shndërron nga njeri bosh e konsumues në bartës të një mesazhi që tejkalon vetveten. Është ajo gjendje në të cilën ai ecën në gjurmët e Ibrahimit (a.s.), duke u bërë “një njeri sa një umet” “Vërtet, Ibrahimi ishte një umet”. Është gjendja që e afron me atë njeri që merr shpërblimin e pesëdhjetë dëshmorëve nga sahabët (r.a.), siç na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut (a,s). Është një gjendje, shenjat e së cilës i kemi parë në Gaza.
Së katërti: Kalimi nga elitizmi në masivitet
Forcat e ringritjes qytetëruese nuk duhet të kufizohen vetëm në elitat intelektuale, as në sallonet e diskutimeve teorike apo luksin e dijes abstrakte; përkundrazi, ato duhet të jetojnë mes njerëzve, me hallet dhe shqetësimet e tyre, duke shprehur pulsin dhe vuajtjet e tyre. Ato duhet ta thjeshtojnë diskursin e tyre intelektual dhe ideologjik, në mënyrë që ai të shndërrohet në ide, vizione dhe slogane lehtësisht të përhapshme e të përqafueshme, në një frymëzim rreth të cilit mund të mobilizohen masat dhe të forcohet gatishmëria e tyre për sakrificë.
“Elita” duhet të paraqesë modele të gjalla në mesin e njerëzve, sepse shërimi i umetit nga sëmundjet dhe plagët e tij nuk arrihet pa përzierje dhe ndërveprim të vërtetë, pa fanarë që ndriçojnë rrugën dhe pionierë që drejtojnë busullën dhe udhëheqin njerëzit. Kjo është gjendja që krijon bazën popullore të domosdoshme për kalimin drejt proceseve të ndryshimit.
Është një thirrje drejtuar dijetarëve, thirrësve dhe mendimtarëve që të zbresin në terren, të trashëgojnë misionin e profetëve, ta adhurojnë Allahun përmes urdhërimit për të mirën dhe ndalimit nga e keqja, përmes përhapjes së së mirës, ngritjes kundër padrejtësisë, përballjes me korrupsionin, nxjerrjes në pah të potencialeve më të mira të njerëzve dhe durimit ndaj vështirësive që hasin. Është një thirrje që thyen rrethimin e regjimeve të korruptuara dhe anulon përpjekjet e tyre për të shtrembëruar Islamin dhe thirrësit e tij.
Së pesti: Kalimi nga shoqëria në shtet
Gjatë dekadave të fundit, lëvizjet dhe rrymat islame arritën që rryma islame të bëhej më e fuqishmja dhe më popullorja, të përhapej një gjendje fetarizimi në shkallë të ndryshme në mesin e popullit dhe që shumica të aspironte realizimin e modelit islam në jetën bashkëkohore. Në shumë vende, rryma islame arriti të dalë në krye në zgjedhjet studentore, sindikale dhe parlamentare, sidomos në mjedise me konkurrencë të lirë dhe të ndershme.
Megjithatë, aftësia e këtyre rrymave për të paraqitur një vizion të pjekur për projektin e shtetit bashkëkohor islam dhe për ta zbatuar praktikisht në terren mbeti e dobët dhe e mangët. Kur disa prej tyre patën mundësinë të qeverisin, shfaqën konfuzion ose ranë në boshllëqe që ua lehtësuan kundërshtarëve dhe armiqve t’i godasin dhe t’i dështojnë.
Disa prej këtyre rrymave nuk kishin një lexim realist të forcave vepruese, të “shtetit të thellë” dhe të ndikimit të fuqive rajonale e ndërkombëtare. Disa të tjera nuk arritën të theksonin veçoritë e projektit islam, por ofruan programe përmirësuese sipërfaqësore dhe “flluska” brenda një makinerie dhe mjedisi laik. Disa hynë në aleanca dhe politika pajtuese që ua zbehën identitetin dhe thelbin e projektit të tyre, duke ua humbur busullën, shijen, ngjyrën dhe dallueshmërinë derisa qytetari nuk mund ta dallonte më këtë rrymë nga të tjerat.
Disa, pasi patën sukses në revolucion, dështuan në përmbushjen e elementeve të tij: nuk morën kontrollin mbi nyjet e vendimmarrjes politike, të sigurisë dhe medias; nuk krijuan forcë dhe mjedis për mbrojtjen e revolucionit; nuk vendosën drejtësi tranzitore për të çrrënjosur regjimin e mëparshëm; nuk ndërvepruan në mënyrën më të mirë me pulsin e masave dhe vrullin revolucionar që ai të mbetej mburoja dhe leva e tyre; nuk patën vendime të vendosura dhe programe të forta që të sillnin një ndryshim cilësor të ndjeshëm që në fillim.
Prandaj, rrymave islame u mbetet ende një rrugë e gjatë për të përmbushur kërkesat e udhëheqjes dhe të prijësisë së shtetit bashkëkohor islam.
Së gjashti: Kalimi nga korniza e kufinjve shtetëror në umet
Umeti është themeli i përkatësisë, siç thuhet në Kuran: “Vërtet ky është umeti juaj, një umet i vetëm” dhe “Ju jeni umeti më i mirë i nxjerrë për njerëzit”. Po ashtu, në deklaratën/kushtetutën e Medinës thuhet: “Besimtarët janë një umet i vetëm përveç të tjerëve”; gjaku i tyre është i barabartë, ata janë një dorë kundër kujtdo tjetër dhe më i vogli prej tyre mbron me përgjegjësi në emër të të gjithëve.
Kolonializmi, i mbështetur nga elementet e dobësisë, prapambetjes dhe përçarjes në umet, la pas sisteme shtetërore të ndara në dhjetëra shtete, të cilat ngritën mure kufijsh gjeografikë e moralë mes bijve të umetit. Madje, në çështjet e qëndrimit, punës, pronësisë dhe shtetësisë, ato shpesh shkuan përtej edhe sistemeve perëndimore. Çdo shtet krijoi kufizimet, tavanet dhe prioritetet e veta, të cilat u shndërruan në standarde sunduese, të paraprira mbi kriteret dhe konsideratat që Islami i ka vendosur për umetin.
Kjo solli një gjendje egoizmi dhe mbylljeje në vetvete, si dhe mungesë përgjegjësie ndaj çështjeve madhore të umetit, siç është çështja e Palestinës. Nën sloganet e përparësisë kombëtare-shtetërore u normalizuan marrëdhëniet me armikun, me arsyetimin e “stabilitetit dhe zhvillimit”; u kriminalizua rezistenca dhe u hoq dorë nga tokë e shenjtë e bekuar.
Në këto mjedise shtetërore, umeti ynë humbi qindra mijëra mendje intelektuale që gjetën hapësirë krijimtarie në Perëndim, ndërsa vendet muslimane vuajtën nga sisteme të korruptuara e despotike, të cilat fuqitë e mëdha i nënshtruan lehtësisht, i shfrytëzuan dhe ua “mjelën” pasuritë, duke i mbajtur në rrethe dobësie, prapambetjeje dhe përçarjeje, si dhe duke imponuar politika që bien ndesh me interesat madhore të umetit dhe ringritjen e tij.
Kthimi tek umeti është domosdoshmëri që nuk duhet të presë patjetër unitetin e plotë politik të vendeve muslimane, edhe pse kjo mbetet një aspiratë legjitime afatgjatë. Ai duhet të nisë së paku në nivelin e sjelljes dhe ndjenjës, të zgjerohet në të gjitha format e vëllazërisë islame përtej kufijve dhe të forcohet përmes bashkëpunimit, solidaritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë përballë sfidave. Më pas mund të zhvillohet gradualisht duke u dhënë përparësi bijve të umetit në lëvizje, qëndrim, punë, pronësi dhe shtetësi; duke i dhënë përparësi vendeve muslimane në ekonomi dhe tregti; duke forcuar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe ushtarak ndërmjet tyre përballë fuqive kolonialiste; dhe duke krijuar terrenin e nevojshëm për projekte uniteti. Pa dyshim, sfidat janë të mëdha, por kalimi drejt umetit është detyrim fetar dhe domosdoshmëri strategjike.
Së shtati: Kalimi nga fikhu pa fuqi te fikhu i fuqisë
Në ciklet qytetëruese, rrethanat e vështira formojnë burra të fortë; burrat e fortë ndërtojnë shtete të fuqishme e të begata; por kur shteti zhytet në luks e rehati dhe e tepron me komoditetin, lindin breza të dobët e “shkumë”, gjë që paralajmëron rënie dhe nënshtrim ndaj fuqive rivale.
Në realitetin tonë bashkëkohor, megjithë ashpërsinë e rrethanave, sistemet e korrupsionit dhe despotizmit, si dhe njerëzit e paaftë e të dhënë pas interesave, shtyjnë drejt më shumë luksi e banaliteti, si ogur i rënies së mëtejshme.
Mjediset e ashpërsisë dhe qëndrueshmërisë që u krijuan vitet e fundit në disa vende tona, megjithë vështirësinë e tyre, ofruan hapësira për ringritje qytetëruese për ata që i përjetuan ato, dhe duhet të shfrytëzohen sa më mirë. Modeli i Gazës së rrethuar e të goditur për 17 vjet me shkatërrim, vrasje dhe uri, kur u përball me frymë sfide pozitive nga rezistenca, arriti të formojë njeriun e saj dhe bazën e saj popullore; të ofrojë një model global në durim e sakrificë; të dëshmojë mundësinë e mposhtjes së armikut; të frymëzojë umetin dhe mbarë njerëzimin; dhe të përmbysë ekuilibrat.
Nga ana tjetër, çdo projekt qytetërues ka nevojë për modele të forta, të besueshme, serioze e dinjitoze, të gatshme për sakrificë në mbrojtje të shenjtërive, atdheut, dinjitetit, lirisë dhe pavarësisë së tyre, në mënyrë që të jenë të afta të çlirohen nga kolonializmi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë dhe të prodhojnë vendimmarrje të pavarur nga hegjemonia e jashtme.
Fikhu i fuqisë nuk nënkupton domosdoshmërisht nxitim drejt luftërave e përplasjeve; por edukimi besimor me frymë përpjekjeje, formimi i karakterit burrëror dhe ushtrimi me kulturën e qëndrueshmërisë duhet të jenë pjesë natyrore e formimit të njeriut musliman, sidomos në këto rrethana. Pastaj përcaktohet masa e duhur e përfshirjes në përballjen me armiqtë, secili sipas rrethanave, mjedisit politik, mundësive dhe prioriteteve të fazës.
Së fundi, projekti i ringritjes kërkon që ta marrim Librin me vendosmëri; se ai është seriozitet dhe jo lojë; se është një rrugë e shtruar me sakrifica dhe vuajtje, jo me dëshira e fantazi, as me shumë debat e pak veprim. Ai nuk është luks zgjedhjeje, por domosdoshmëri e pashmangshme, që umeti të rikthejë dinjitetin, lavdinë dhe rolin e tij në prijësinë qytetëruese njerëzore.
Autor: Muhsin Muhamed Salih
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com







