Shtesat mujore për deputetët do të jenë gati sa paga e një zjarrfikësi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Legjislaturës së Vlll-të të Kuvendit të Kosovësç Në seancën konstituive të kësaj legjislature, të cilën e udhëhoqi deputeti më i vjetër në moshë dhe deputetja më e re kanë marrë pjesë 113 deputetë ndërsa Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit me 69 vota "pro", 33 "kundër" dhe asnjë abstenim. ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të jenë kategoria më e privilegjuar me Ligjin për Paga. Përveç pagës prej 1 mijë e 722 eurosh, ata do të vazhdojnë të marrin shtesa deri në 516 euro në muaj për pjesëmarrje në komisione. Kjo shtesë është përafërsisht sa paga mujore e një zjarrfikësi (525 euro). Ligji për Paga parasheh edhe shtesa të tjera. Krahas pagës bazë, të punësuarit në sektorin publik do të marrin shtesa për përvojë të punës, për punë jashtë orarit dhe gjatë fundjavës e festave.

Një deputet i Kuvendit të Kosovës do të marrë shtesa deri në 516 euro në muaj, që janë të përafërta me pagën mujore të një zjarrfikësi. Kjo shumë do t’i shtohet pagës bazë të deputetit, që me Ligjin e ri parashihet të jetë 1 mijë e 722 euro apo 11 për qind më shumë sesa që ishte.

Këto shtesa në vlerë deri në 30 për qind të pagës bazë, sipas Ligjit parashihen për pjesëmarrjen në komisione parlamentare, për çka deputetët edhe në të kaluarën kanë marrë 160 euro, ndërsa për seanca plenare 240 euro.

Sipas Naser Shamollit, hulumtues në organizatën GLPS, shtesat janë të panevojshme dhe se paga e deputetit është e mjaftueshme.

“Shtesa e veçantë për të zgjedhurit konsiderohet si e panevojshme dhe e pajustifikueshme për faktin se të njëjtët kanë një pagë bazë fikse e cila jepet nën supozimin e mbulimit të të gjitha shpenzimeve për të zgjedhurin”, ka thënë Shamolli.

Një ditë më parë Qeveria ka publikuar koeficientin e pagave për punonjësit e sektorit publik që do të jetë 105 euro.

“Pagës bazë do t’i shtohet edhe shtesa për përvojën e punës dhe shtesa të tjera që zyrtarët mund t’i marrin sipas legjislacionit në fuqi. P.sh. mjeku që vendos t’ia dedikojë karrierën e vet shërbimit publik dhe të mos punojë në sektorin privat, ai do ta ketë një shtesë deri në 25 për qind të pagës. Për shkak të shtesës për përvojë të punës, dikush që ka 20 vjet përvojë pune do ta ketë koeficientin 111.6, pra nuk mbetet 105 sa ka qenë”, ka deklaruar zëvendësministri i Punëve të Brendshme Bardhyl Dobra.

Bazuar në këtë, paga bazë e një mjeku specialist është rritur nga 659 euro në 1260 euro, pa përfshirë këtu përvojën e punës dhe shtesat e tjera.

Mjeku specialist që ka përvojë pune deri në 15 vjet, do të marrë muaj për muaj edhe 3.15 euro për çdo vit pune. Ndërsa për çdo vit mbi 15 vjet përvojë, do të marrë edhe nga 6.3 euro.

Paga bazë pritet të rritet në bazë të përvojës edhe për punonjësit e tjerë të sektorit publik me 0.5 për qind për çdo vit të punës për mbi 15 vjet dhe me 0.25 për qind për çdo vit deri në 15 vjet përvojë.

Po ashtu, Ligji parasheh shtesa edhe për kujdestari, për punë gjatë natës dhe jashtë orarit të punës, për punë gjatë fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare.

Ligji për Paga ka paqartësi sa u përket shtesave të tjera për punëtorët e sektorit publik.