Shtetet arabe që kufizohen me Gjirin Persik i kërkuan SHBA-së të mos nisë sulm ushtarak ndaj Iranit, duke paralajmëruar se një ndërhyrje e tillë mund të shkaktojë paqëndrueshmëri ekonomike dhe politike në të gjithë rajonin, transmeton Anadolu.
Arabia Saudite, së bashku me Omanin dhe Katarin, ka lobuar privatisht te administrata e Trumpit pasi Shtëpia e Bardhë i paralajmëroi ata të përgatiten për veprime të mundshme kundër Teheranit, njoftoi “Wall Street Journal”.
Përderisa këto vende kanë heshtur publikisht teksa Irani vazhdon të përballet me protesta masive, ato po u bëjnë presion zyrtarëve amerikanë prapa skenave që të rishqyrtojnë vendimin.
Sipas zyrtarëve arabë të Gjirit, çdo përpjekje ushtarake për të rrëzuar regjimin e Iranit mund të prishë rëndë dërgesat globale të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është një rrugë ujore strategjike përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë.
Ata kanë frikë nga goditjet e brendshme, pengesat ekonomike dhe hakmarrja e mundshme nëse forcat amerikane veprojnë. Zyrtarët sauditë i kanë thënë Teheranit se nuk do të marrin pjesë në asnjë konflikt dhe as nuk do të lejojnë akses në hapësirën ajrore amerikane, duke synuar të distancohen nga një konfrontim i drejtpërdrejtë.
“Presidenti dëgjon një mori mendimesh për çdo çështje të caktuar, por në fund merr vendimin që mendon se është më i miri”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ende nuk ka marrë vendim përfundimtar, por postoi në mediat sociale të martën: “Ndihma është rrugës e sipër” duke u bërë thirrje demonstruesve iranianë të këmbëngulin.
Udhëheqësit e Gjirit janë të shqetësuar për paparashikueshmërinë e një Irani pas-Khameinit, përfshirë mundësinë e kalimit të pushtetit te Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ose që rezulton në kaos rajonal.
“Ata nuk e duan regjimin iranian”, tha ish-ambasadori i SHBA-së, Michael Ratney “por ata gjithashtu kanë neveri të madhe ndaj paqëndrueshmërisë”.
Arabia Saudite, e përqendruar në planin e saj “Vizioni 2030” për të diversifikuar ekonominë e saj, e sheh qetësinë rajonale si thelbësore. Analistët thonë se rezultati i preferuar i Gjirit do të ishte reforma e brendshme në Iran në vend të rrëzimit të regjimit.
Irani është tronditur nga vala e protestave që nga muaji i kaluar, të cilat filluan më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më vonë u përhapën në disa qytete të tjera.
Zyrtarët qeveritarë akuzuan SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e “trazirave” dhe “terrorizmit”.
Nuk ka shifra zyrtare të viktimave, por Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), një grup i të drejtave me bazë në SHBA tha se numri i të vdekurve është mbi 2.550, përfshirë forcat e sigurisë dhe protestuesit, me mbi 1.134 të plagosur.
HRANA tha se të paktën 10.721 persona janë ndaluar dhe 18.434 persona janë dërguar në paraburgim.


