Shtimi i rasteve të infektimit e rrit interesimin për vaksinim

Pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, është rritur edhe numri i personave që po vaksinohen edhe me dozën e tretë apo përforcuese të vaksinës anti-COVID. Teksa deri më tani mbi 20 mijë persona janë imunizuar me tri doza, qytetarët në Prishtinë ankohen se qendra e vaksinimit ndodhet shumë larg. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se është në përgatitje edhe të lokacioneve të tjera për imunizim.

Rreth 2 kilometra rrugë duhet të përshkojë akëcili qytetar i interesuar për t’u imunizuar kundër COVID-19 ashtu që nga qendra e Prishtinës të mbërrijë deri tek ajo e vaksinimit.

Gjatë dhjetorit, qendra për vaksinim ishte zhvendosur nga salla “1 Tetori” te Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kalabria”. Por qytetarët, të cilët shkuan aty të enjten për ta marrë dozën e tretë apo përforcuese të vaksinës, janë ankuar për distancën e largët që kjo qendër ka nga qendra e qytetit.

Qytetari Qerim Zeriqi ka thënë se i është dashur që të paguajë taksinë për të mbërritur deri te kjo qendër.

“Kam pasur aksident, këmbën e kam si pa qejf e po duhet me u mbajt. E qe tre ditë e bëj plan, por nuk kam guxuar prej të ftohtit që të vij gjer këtu, ngase frikohem se do të rrëzohem. Andaj më është dashur që të paguaj taksi 2 euro e 30 cent deri qetu nga ‘Klintoni’”, ka thënë ai.

Ndërkaq Fazli Aliu, duke e lavdëruar stafin që punon në qendrën e vaksinimit, ka thënë se për të moshuarit do të duhej të ishte më afër.

“Në rregull shkoi, por pak si shmangur këtu prej qendrës me ra teposhtë për pleqtë pak më problem, por mirë, organizimi është i mirë”, është shprehur ai.

Ka pasur ndërkaq edhe mesazh për ata që ende shprehin hezitim për vaksinim kundër koronavirusit. Qytetari Avni Musliu ka thënë se nuk i kupton ata persona që nuk e marrin vaksinën.

“Nuk i kuptoj ata të cilët hezitojnë, sepse virusi global po merr jetë me mijëra. Unë nuk i kuptoj pse nuk e marrin, nuk i kuptoj. Ndoshta ata i kanë arsyet e veta, por ata arsyet të mos i qesin si problem që nuk duhet me e marrë”, thotë ai.

Pas arritjes në qendrën e vaksinimit, çdo person duhet të kalojë edhe disa shkallë për të mbërritur deri tek ekipet e vaksinimit, teksa hapësira në këtë qendër është shumëfish më e vogël sesa ajo në sallën “1 Tetori”. Kjo për shkak se vaksinimi në QMF-në e “Kalabrisë” ofrohet në katin e dytë të godinës.

Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një përgjigje për KOHËN, ka bërë të ditur se nuk ka pranuar ankesa për vështirësi të tilla, teksa ka njoftuar se lokacionet janë përzgjedhur nga komunat. Për më tepër, nga MSH-ja është njoftuar se do të krijohen edhe lokacione të tjera.

Kjo ministri ka bërë të ditur gjithashtu se është rritur numri i të vaksinuarve me dozën e tretë, pasi që është rritur edhe numri i të infektuarve gjatë ditëve të fundit.

“Decentralizimi i procesit të vaksinimit kundër COVID-19 është bërë sipas Planit të veprimit për vaksinimin në masë dhe lokacionet aktuale janë përzgjedhur nga vetë komunat. MSH-ja do t’i përkrahë ato që të krijojnë edhe lokacione të tjera sipas nevojave. Oraret e vaksinimit janë zgjatur dhe punohet edhe gjatë fundjavave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë dhe se vaksinimi në Kosovë duhet të arrijë në shkallën 100 për qind.

“Vaksinimi duhet të arrijë në 100 për qind. Mund ta arrijmë në 75 për qind, 80 apo 90 për qind, por dëshira e kësaj qeverie është që gjithsecili të vaksinohet. Kemi mjaft vaksina. Për fëmijët jemi në negociata. Jemi në negociata për t’i marrë vaksinat për fëmijë. Tani i kemi 500 mijë vaksina, brenda një jave apo dy na mbërrijnë edhe 500 mijë të tjera. Vaksinat për fëmijë janë të pakta gjithkund në botë, por do t’i sigurojmë shumë shpejt edhe ato vaksina”, është shprehur ai.

Ndërkaq, sipas njoftimit të MSH-së, gjatë 24 orëve të fundit janë administruar 3.541 doza të vaksinës kundër COVID-19. Që prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë administruar 1.704.633 doza të vaksinës. Deri më sot, 793.574 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, ndërsa janë dhënë 24.841 doza përforcuese dhe 2.137 doza të treta.