Shtohen rastet e reja me COVID-19 në botë, 100 mijë të infektuar në ditë në SHBA

Rritja e të infektuarve me COVD-19 po shkakton shqetësim në shumë shtete ku autoritetet janë duke rivendosur disa masa kufizuese, sikundër përdorimi i certifikatave të shëndetit, të cilësuar edhe si një mjet për të nxitur vaksinimin.

Franca ka bërë thirrje për mjekë dhe infermierë vullnetarë për të ndihmuar në përballimin e situatës në territoret e Martinique dhe Guadeloupe, ku spitalet janë të mbingarkuar me të infektuar. Franca është përfshirë edhe nga protestat ku kundërshtohet certifikata e imunizimit, e detyrueshme për të marrë një sërë shërbimesh.

Edhe në Italinë fqinje ku ka pasur protesta kundër certifikatave autoritetet i tremben një vjeshte më të vështirë. Në 24 orët e fundit ne shtetin fqinj u regjistruan 5735 të infektuar dhe 11 viktima. Në fund të gushtit Sicilia dhe Sardenja rrezikojnë të kalojnë nga zona e bardhë në të verdhe.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të raportojnë numrin më të lartë të të infektuarve në botë, e madje kjo situatë është cilësuar pandemia e të pavaksinuarve, duke u bërë thirrje që të injektohen sa më shumë qytetarë.

Totali i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të COVID-19 në SHBA nga e shtuna tejkaloi shifrën 35.73 milion, me 616.712, viktima.. Zhgënjimi dhe shqetësimi po rriten në të gjitha shtetet amerikane pasi rastet e reja të të prekurve, të nxitura nga varianti Delta, arritën një maksimum në më shumë se 100,000 raste në ditë. Rastet e COVID-19, shtrimet në spital dhe vdekjet vazhdojnë të rriten në shumicën e shteteve amerikane, veçanërisht në komunitetet me mbulim më të ulët të vaksinimit.

Situata është veçanërisht e rëndë në shtetet qendrore dhe jugore, përfshirë Florida, Teksas, Misuri, Arkansas, Luiziana, Alabama dhe Misisipi.

Presidenti Joe Biden kritikoi Guvernatorin e Floridas dhe guvernatorët e tjerë republikanë pasi nuk janë të detyrueshme maskat në shkollat publike dhe jo vetëm. /euronews