Është shtyrë interpelanca ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli bëri të ditur se kryeministri Haradinaj e ka deleguar ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri që të përgjigjet në pyetjet e deputetëve në mungesë të pranisë së tij.
Por, deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli tha se nuk janë të interesuar që pyetjeve t’u përgjigjet ministri, por duan që në këtë interpelancë të jetë i pranishëm Ramush Haradinaj.
Me kërkesë të Vetëvendosjes, interpelanca e Haradinajt në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës u shty për ndonjë seancë tjetër. /Telegrafi/