Ballina Jeta Shëndetësi ​Shumë kripë në tryezë rrit goditjet në tru dhe atakun në zemër

​Shumë kripë në tryezë rrit goditjet në tru dhe atakun në zemër

Përdorimi i tepërt i kripës në tryezë shkakton afërsisht dy milionë vdekje çdo vit nga sëmundjet kardiovaskulare.

Por konsumi i tepërt mund të reduktohet në 5 hapa, duke filluar me përdorimin e alternativave që mund t’u shtojnë shije ushqimeve.

Mesazhi po lansohet nga fushata “Është koha për të zëvendësuar kripën!”, e promovuar nga shoqata Veprimi Botëror për Kripën, Sheqerin dhe Shëndetin dhe e rilançuar nga Ministria e Shëndetësisë në portalin online, si pjesë e Javës Botërore të Ndërgjegjësimit, shkruan ANSA.

Konsumi i tepërt i kripës rrit rrezikun e hipertensionit, atakut në zemër dhe goditjes në tru, dhe gjithashtu shoqërohet me kancer të sistemit tretës dhe sëmundje të veshkave.

Globalisht, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar një konsum mesatar ditor tek popullata e rritur prej dymbëdhjetë gramësh tek burrat dhe dhjetë gramësh tek gratë (rreth dyfishi i sasisë së rekomanduar).

Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin midis qeverive për nevojën e zbatimit të politikave për të ulur marrjen e kripës në më pak se pesë gramë në ditë.

Vitet e fundit janë nënshkruar memorandume të shumta mirëkuptimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe shoqatave të prodhuesve të ushqimit për të inkurajuar përdorimin më të pakët të kripës.