Ekstremisti Bezalel Smotrich kërcënoi me aneksimin e Sinait
Deklarata e fundit e Ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, gjatë një interviste nga shtëpia e tij për mediat izraelite, ku ai paralajmëroi se Egjipti do të humbiste gadishullin e Sinat nëse do të guxonte të sulmonte Izraelin, përbën një shfaqje të hapur të arrogancës gjeopolitike që dominon sot në Tel Aviv.
Smotrich pyeti në mënyrë retorike se çfarë mund ta parandalonte Kajron nga veprimet ushtarake, duke u përgjigjur vetë se vetëdija e tyre se “nuk do të ketë më Sinai”, shërben si i vetmi faktor frenues efektiv.
Kjo retorikë provokuese erdhi pikërisht në prag të festimeve kombëtare të Egjiptit për përkujtimin e Luftës së Tetorit 1973, konflikti historik që i hapi rrugën kthimit të Sinat nën sovranitetin e Kajros pas viteve të pushtimit ushtarak.
Ndonëse presidenti Abdel Fattah El-Sisi u përgjigj duke deklaruar se ushtria egjiptiane mbetet plotësisht e gatshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare në çdo rrethanë, përtej deklaratave publike fshihet një dobësi e thellë strategjike e vetë Egjiptit.
Që nga nënshkrimi i traktatit të paqes në vitin 1979 pas Marrëveshjeve të Camp David-it, Kajro ka zgjedhur një rrugë pragmatizmi të skajshëm ku interesat e ngushta të stabilitetit të regjimit, ndihma ushtarake amerikane dhe bashkëpunimi i inteligjencës me Izraelin kanë marrë përparësi mbi detyrimin moral dhe kombëtar ndaj kauzës arabe.
Ky afrim gradual me Tel Avivin, ka ardhur me një kosto katastrofike për pavarësinë e Palestinës, pasi Egjipti ka funksionuar si një garantues i status-quo-së së pushtimit përmes koordinimit të rreptë të sigurisë në kufi, lehtësimit të bllokadës mbi Rripin e Gazës dhe pozicionimit si një ndërmjetës që më shumë neutralizon rezistencën palestineze sesa ushtron presion mbi Izraelin.
Gabimi më i madh i Kajros, qëndron në dorëzimin e kartave të saj kryesore të presionit diplomatik, duke e zhveshur botën arabe nga çdo mjet real për të kushtëzuar paqen me krijimin e një shteti sovran palestinez.
Ky nënshtrim taktik jo vetëm që ka tradhtuar aspiratat e popullit palestinez, por ka zhvlerësuar edhe vetë sakrificat e ushtrisë egjiptiane në vitin 1973, pasi i ka dhënë të drejtë ekstremizmit izraelit të trajtojë sovranitetin e fqinjëve si diçka të revokueshme.
Kur një shtet heq dorë nga parimet e tij strategjike për një paqe oportune, ai përfundon duke u turpëruar edhe në sytë e aleatëve të tij, siç e dëshmon qartë kërcënimi i Smotrich se Sinai mund t’i merret sërish Egjiptit nëse ai devijon nga linja e caktuar.
Përballë këtij provokimi të drejtpërdrejtë, reagimi i Kajros duket se të jetë më i orientuar nga kontrolli i dëmit të brendshëm sesa nga ndonjë përplasje e hapur ushtarake apo diplomatike me Tel Avivin.
Për shkak të varësisë së thellë ekonomike, krizës së borxheve dhe nevojës kritike për ndihmën ushtarake prej miliarda dollarësh nga Uashingtoni, udhëheqja egjiptiane do të zgjedhë ta trajtojë deklaratën e Smotrich si një retorikë të skajshme politike për konsum të brendshëm izraelit, duke shmangur hapat e prerë që do të rrezikonin traktatin e paqes.
Publiku vendas do të ushqehet me parada ushtarake, deklarata solemne për Luftën e Tetorit dhe mbulesë mediatike patriotike, por pas kësaj skene do të vazhdojë puna e zakonshme administrative dhe e inteligjencës.
Në nivelin diplomatik, Kajro do të preferojë t’i drejtohet prapaskenave dhe kanaleve indirekte diplomatike nëpërmjet Uashingtonit për të kërkuar sqarime ose distancim nga kabineti i Benjamin Netanyahut, sesa të ndërmarrë masa ndëshkuese si tërheqja e ambasadorit apo ngrirja e marrëveshjeve ekonomike e energjetike.
Kjo vetëpërmbajtje e detyruar, tregon se sa e kufizuar është hapësira e manovrimit e Egjiptit sot. Duke i dhënë prioritet absolut ruajtjes së kanalit të ndërmjetësimit mes Izraelit dhe Gazës – i cili i siguron Kajros rëndësi gjeopolitike tek partnerët perëndimorë- qeveria egjiptiane është e prirur të gëlltisë provokime të tilla ndaj sovranitetite, mjafton që bashkëpunimi i sigurisë në kufirin e Sinat të mbetet i paprekur.
Kjo sjellje pragmatike, por përfundimisht pasive, konfirmon se Kajro zyrtare është bërë rob i vetë modelit të saj të sigurisë. \tesheshi








