Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Si po e projekton Izraeli dështimin e armëpushimit në Gaza

Si po e projekton Izraeli dështimin e armëpushimit në Gaza

Veç armëve, mjetet e tjera janë kufizimet dhe pengesat burokratike

Themelimi i Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) u pa si hapi i parë drejt rimëkëmbjes së zonës. Megjithatë, një muaj më vonë, Izraeli ka bllokuar hyrjen e këtij komiteti teknokratik në Rrip.

Ndërkohë, njoftimi i SHBA-së për “Fazën e Dytë” të planit Trump, është pasuar nga një përshkallëzim i bombardimeve izraelite dhe zotime për operacione ushtarake të pakufizuara, duke e shndërruar armëpushimin në një akt formal e të pajetë.

NCAG, i përbërë nga 15 ekspertë palestinezë, supozohet të marrë qeverisjen nga Hamasi. Por anëtarët e tij janë në errësirë të plotë. Sipas informacioneve të publikuara nga The New Arab, burime pranë kreut të NCAG, dr.Ali Shaath, konfirmojnë se anëtarëve as nuk u është thënë se ku do të punojnë, as nuk u është caktuar staf apo zyrë.

Një komisioner i tha portalit The New Arab: “Në këtë fazë, e kemi më shumë pyetje sesa përgjigje”. Një rol kyç në këtë proces luajnë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), të cilat financojnë pagat prej 18.000 dollarësh në muaj për komisionerët.

New Arab raporton se disa prej këtyre anëtarëve janë në fakt të lidhur me Mohammed Dahlan, politikanin kontrovers palestinez. Burimet diplomatike i thanë portalit se EBA preferon një “kaos të ngjashëm me Sudanin” në Gaza sesa mbijetesën e Hamasit, duke e parë rajonin si një çelës për të ndikuar te Donald Trump.

Izraeli po përdor çdo mjet për të minuar këtë entitet. Benjamin Netanyahu e sulmoi komitetin edhe për përdorimin e një logoje që ngjante me atë të Autoritetit Palestinez. Në terren, ushtria izraelite lejon bandat kriminale, si milicia “Abu Shabab”, të ngacmojnë palestinezët që kthehen përmes Rafahut.

Kjo milici mund të përdoret lehtësisht nga Izraeli për të bllokuar apo sulmuar anëtarët e NCAG-ut kur ata të tentojnë hyrjen. Agjencia Shin Bet ka ndërhyrë direkt në përbërjen e komitetit, duke vendosur në pozicione kyçe figura si Sami Nasman, një oficer inteligjence me histori përplasjesh të përgjakshme me Hamasin.

Ky manipulim synon të nxisë përplasje të brendshme, të cilat Izraeli do t’i përdorë si pretekst për të rinisur sulmet. Në vend të rindërtimit real, po promovohet projekti “Rafahu i Ri”, një kamp i rrethuar me kontejnerë metalikë për vetëm 25.000 njerëz, nën mbikëqyrje biometrike.

Qëllimi kriminal i Netanyahut mbetet i qartë: pasi e bëri Gazën pluhur e hi, ai s’do të lejojë asnjë strukturë që mund të çojë në një rimëkëmbje të vërtetë. Në formën që është, NCAG po shërben vetëm si një “shpërqendrim” për pushtimin e vazhdueshëm. /tesheshi