Si punon propaganda: Historia e fëmijës që i mbijetoi tërmetit, por që në fakt nuk ekziston

Historia ngriti peshë një vend që po përballej me katastrofën: punonjësit e shpëtimit po përpiqeshin pa ndaluar asnjë minutë të nxirrnin një 12-vjeçare që kishte mbijetaur mrekullisht nga tërmeti shkatërrues në Meksikë, por mbetej e bllokuar në rrënojat e shkollës së saj.

Kanalet televizive transmetonin lajme të reja minutë pas minute duke përshkruar sesi ekipi i shpëtimit i afroj centimetër pas centimetri vendit ku Frida Sofía ishte varrosur për së gjalli.

Oficerë të marinës që drejtonin përpjekjet e shpëtimit u thanë reporterëve se ajo ishte parë tek luante gishtat, që ajo ishte strehuar nën një tryezë graniti dhe që ishte në kontakt me shokët e klasës.

Por, më pas, shpresa u shndërrua në lëndim – më pas në zemërim – ndërsa historia u shemb e gjitha: nuk kishte nxënëse me emrin Frida Sofía; nuk ekzistonte asnjë vajzë në rrënojat e shkollës Enrique Rebsámen.

Pas dy ditësh, kur dukej se shpëtimi po vinte në çdo moment për vajzën, asistent-sekretari i Marinës, Enrique Sarmiento, njoftoi papritur dhe pa shpjegime se apelit të nxënësve të shkollës i ishin përgjigjur të gjithë.

“Duam të theksojmë se nuk kemi dijeni për raportimet që dolën për emrin e një vajze”, shtoi Sarmiento. “Ne nuk besojmë – dhe jemi të sigurtë – se nuk ka qenë e vërtetë”.

Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi një tjetër zyrtar i Marinës i kishte thënë televizionit “El Financiero” se punonjësit e shpëtimit kishin marrë kontakt me vajzën.

Pohimi se nuk kishte ekzistuar kurrë një Frida Sofía zemëroi shumë meksikanë, të cilët ndjenë se ishin ushqyer me një rrëfim të rremë shprese nga shtypi dhe zyrtarët publikë.

“Njerëzit janë të zemëruar”, tha Esteban Illades, botues i revistës meksikane “Nexos”. “Frida ishte historia e tërmetit”.

Në rrjetet sociale ishin të shumtë ata që shfrynë zemërimin ndaj autoriteteve. Por, ata targetuan po ashtu edhe median, sidomos gjigandin e transmetimeve “Televisa”. Disa e krahasuan episodin me historinë e
Monchito-s, një djali nëntëvjeçar që ishte në fokus të përpjekjeve masive të shpëtimit nga rrënojat që la tërmeti shkatërrimtar në qytetin e Meksikos në vitin 1985, por që edhe ai doli se nuk ekzistonte.

Spikerët e “Televisa”-s po ashtu shprehën frustrimin e tyre. “Qeveria federale gjithnjë na tha se ekzistonte një vajzë dhe se ata ishin afër shpëtimit të saj. Tani ata e ndryshuan versionin e tyre. Çfarë indinjate”, shkroi spikeri Carlos Loret de Mola./Tesheshi/

Gjatë përpjekjeve të shpëtimit, ushtarët dhe marinsat me pajisje të specializuara si sensorë nxehtësie apo mikrofona të ndjeshëm kërkuan rrënojat e shkollës për shenja jete – dhe pretenduan se kishin gjetur nxënësen Frida Sofía. Pati raportime se punonjësit po e ushqenin atë me qumësht përmes një tubi plastik.
Por, më pas nisën të dalin mospërputhjet: nuk kishte asnjë familje të dëshpëruar që të qëndronte pranë shkollës, asnjë nga stafi i mbijetuar apo nxënësit e tjerë nuk njihte dikë me këtë emër.

Mbrëmjen e vonë të ditës së dytë, shpërthyen brohoritjet nga vendondodhja e rrënojave të shkollës, ndërsa u përhap thashethemi se ishin shpëtuar dy nxënës.

Por, menjëherë pas kësaj, një grup vullnetarësh të ndihmës së shpejtë të njohur si Urithët, -të famshëm për gërrmimet në rrënoja – u larguan nga shkolla duke thënë se zyrtarët e Marinës kishin marrë kontrollin e operacioneve të shpëtimit.

Në fund fare, ky operacion ishte i panevojshëm.

Zemërimi i nxitur nga episodi ishte produkt i neverisë së gjithëpërhapur me zyrtarët publikë dhe mjetet e medias që vazhdimisht akuzohen se falsifikojnë statistika dhe zbehin problemet e vërteta të Meksikës.

“Edhe pa këtë episod, ne kemi nivel ekstremisht të ulët të besimit tek institucionet”, thonë sociologët në qytetin e Meksikos./Mesazhi/