Sikur t’i kesh pirë djersët e fatit!

Kim Mehmeti

Dekada e shtatë e jetës i ngjanë majës nga i sheh vetëm shtigjet e gabuara nga të cilët ke ecur gjatë jetës. Andaj nuk është e shëndetshme të qëndrosh në atë majë dhe duhet të bësh çmos që ta shmangësh atë. Gjë që unë ia kam dalë duke shfletuar librat e bibliotekës sime, librat e shumtë që i kam lexuar, e që më bëjnë të ndjehem i suksesshëm.
Mos ishin ato libra mbase kurrë nuk do e kuptoja se njësoj si fëmija që ecë drejtë rritës së vet duke u vetëgënjyer sa mirë e kanë të rriturit, edhe i rrituri, ecën gëzueshëm drejt pleqërisë dhe vdekjes duke u vetëgënjyer me sukseset qe ka arritur.
Mes librave të radhitur në raftet e bibliotekës sime janë edhe ato që i kam botuar gjatë dekadave të shkuara. Librat që ma rikujtojnë se në rini, isha aq i ngutshëm, sa doja t’i botoja edhe prozat që ende nuk i kisha shkruar e tani, në pleqëri, vazhdoj t’i shkruaj edhe librat që i kam botuar.
Kështu e ka jeta, them në vetvete: rininë e stolisë freskia, guximi e vrulli, ndërkaq pleqërinë e mbulon myshku i gabimeve nga e shkuara, e që e bënë të jetë dyshuese ndaj çdo gjëje, përfshi edhe vetë jetën
Menjëherë pranë librave të mi qëndron kompleti i Anton Peshkut, kompleti që më rikujton shumëçka nga e shkuara ime krijuese, përfshi edhe takimin e pare me të – me idhullin e viteve të mia rinore.
Dhe që nga ai takim i parë me të në vitin 1986, e kur Shtëpia Botuese ‘Rilindja’ Pashkut ia kishte botuar kompletin tre vëllimesh të veprave letrare, u betova se me të gjitha do bëhem si ai: se kurrë nuk do jem krijues mendjemadh që i përbuzë të tjerët dhe se, nuk do shkruaj më shumë se tre libra: një përmbledhje me shtatë tregime, një roman me shtatë kapituj dhe një përmbledhje me shtatë ese.
Por sot, sa nuk skuqem nga turpi kur i shoh ato dhjetëra romane e përmbledhje me ese e tregime që kam botuar. Dhe më vjen t’ia kris vetvetes një shuplakë pse nuk iu përmbajta besimit se ai që dinë, gjërat i thotë shkurt e qartë.
Po dekada e shtatë e jetës është majë nga mund ta shohësh kotësinë e udhëtimit jetësorë. Majë nga unë i shoh vitet e fëmijërisë sime kur dinim të gëzohemi edhe pse nuk kishim thuajse asgjë dhe këto të sotmet, kur i kam të gjitha, por ndjehem sikur t’i kisha pirë djersët e fatit – thuajse kot që kam jetuar!

Nga: Kim Mehmeti, Marrë nga dorëshkrimi, ‘Mosha e lajmeve të këqija’