Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër zhvilloi më 16 nëntor 2025 një simpozium shkencor që u vlerësua si një nga ngjarjet më përfaqësuese të diasporës shqiptare.
Ky simpozium mblodhi imamë, studiues, pedagogë, aktivistë dhe drejtues komunitetesh nga mbarë Evropa, si dhe përfaqësues institucionalë nga trojet shqiptare. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik shqiptar në Zvicër, të cilët vlerësuan lart rolin e KMSHZ-së në ruajtjen e identitetit kulturor, fetar dhe qytetar të diasporës.
Me pjesëmarrjen e imamëve, studiuesve, aktivistëve dhe përfaqësuesve institucionalë, aktiviteti trajtoi rolin historik dhe bashkëkohor të xhamive shqiptare në ruajtjen e identitetit, edukimin fetar dhe integrimin e shëndetshëm në shoqërinë zvicerane.
Në kumtesat që u paraqitën nder të tjera, u theksua se xhamitë shqiptare jashtë trojeve nuk janë thjesht vende adhurimi. Ato shërbejnë si qendra të gjalla të edukimit, kulturës, kujtesës dhe solidaritetit, duke luajtur rol të pazëvendësueshëm në formimin moral dhe shpirtëror të brezave të rinj.
U ritheksua domosdoshmëria që xhamitë në diasporë të funksionojnë si hapësira të integrimit të shëndetshëm, si ura komunikimi me shoqëritë pritëse dhe si qendra që ruajnë dhe kultivojnë identitetin kombëtar.
Kumtesat sollën analiza profesionale dhe përvoja konkrete nga qendrat islame shqiptare në Evropë, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të fortë, koordinim institucional dhe programe të përbashkëta edukative. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rolit në rritje të grave në jetën komunitare dhe fuqizimit të tyre në pozita drejtuese.
Simpoziumi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të identitetit, rritjes së kapaciteteve dhe profesionalizimit të jetës komunitare shqiptare në Zvicër.










