Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, tha se PTK-ja ka pasur ngecje, që nga koha kur PTK-së, iu ndalën të gjitha investimet që ishin parashikuar.
“Në emër të privatizimit të PTK-së, iu ndalen të gjitha investime në vitin 2010. Teknologjia eci, ndërsa PTK-ja ,mbeti mbrapa. Janë ndalë projektet”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ai bëri me dije se PTK-së, iu kanë marrë mbi 500 milionë euro. “Nuk mund të funksionon pa investime e zhvillim një kompani e madhe. Po ashtu ka pasur edhe kontrata milionëshe të cilat e kanë dëmtuar kompaninë. Njëra ndër kontrata është edhe kontrata me ZMobile. Ajo kompani nuk ka investuar asnjë cent në ndërmarrje”, deklaroi ai.
Balaj bëri me dije se ka pasur peticion në kohën kur është nënshkruar kontrata me Z.Mobile. “Ne jemi punëtorë për të punuar dhe zhvilluar këtë kompani”, tha ai.
Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, vlerësoi se ulja e pagave nuk është zgjidhje për punëtorët e Telekomit të Kosovës. Sipas tij nuk është e vërtet që Telekomi i Kosovës po shkon në falimentim.