Sindikatat bëhen bashkë, kërkojnë nga qeveria Ligjin e Pagave këtë vit dhe paralajmërojnë greva

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka organizuar një protestë para qeverisë së Kosovës ku ka gjetur edhe përkrahjen e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe të Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.

Kryetari i FSHSK-së, Blerim Syla tha se duan nga qeveria e Kosovës Ligjin e Pagave sepse kjo do të vendoste barazinë sociale që ishte slogan nga qeveria aktuale, shkruan lajmi.net.

“Të nderuar punonjës shëndetësorë, punonjës të Kosovës dhe ju të papunë. Jemi mbledhur këtu para qeverisë t’i thomë hallet tona sa i përket gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë. Siç e dini, kohë më parë ne e bëmë një protestë simbolike me shpresën që Presidentja dhe Kryeministri do të reflektojnë dhe të paktën të na ftojnë edhe neve së paku për ligjet që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve, por ndodhi e kundëra, ata u mbyllën në vetë dhe ata nuk duan të bisedojnë me qytetarët e vet. Kërkesa e sotme është Ligji i Pagave. Ky ligj do të vendoste barazinë sociale që ishte slogan nga qeveria aktuale. Qeveria në mënyrë të fshehtë punon, pa ftuar sindikata e shoqëri civile. Sot kemi dalur t’i thojmë stop kësaj jo-transparence dhe kemi dalur t’iu themi se nëse ligji i pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë do të rikthehet në reagime më të ashpra sindikale.”, tha Syla.

Kryetari i ri i BSPK-së, Atdhe Hukolli tha në këtë tubim se do të jetë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave dhe kërkoi nga qeveria e Kosovës t’i ftojë sindikatat në dialogun social.

“Sot jam në cilësinë e kryetarit të BSPK-së që ta përkrahi protestën shumë kuptimplotë të Sindikatës së Shëndetësisë për Ligjin e Pagave, unë do të jem përherë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave ku ata kanë nevojë. Kërkoj nga qeveria e Kosovës që sa më shpejt t’i thërrasë sindikatat në dialogun social. Sa më shpejt edhe ministrat t’i thërrasin sindikatat që kanë nevojë për dialogun social. Ne sot këtu do e përkrahim Federatën Sindikale të Shëndetësisë. Ftojmë qeverinë t’i qojë ekspertët e vet në Këshillin Ekonomiko-Social sepse ne si BSPK përndryshe jemi në përgatitjen e veprimeve sindikale. Sa më shpejt që është e mundur që të ulemi e të bisedojmë, veprimet sindikale do t’i kemi prioritet.”, tha Hukolli.

Më tutje, foli edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari i cili i bëri thirrje qeverisë të flasë me sindikatat dhe ka përmendur grevat.

“Kam ardhur këtu ta përcjellë mesazhin e mijëra punëtorëve të arsimit të cilët i bashkangjiten me shpirt e zemër kësaj proteste dhe kam ardhur t’iu themi qeverisë ta dëgjojë këtë masë njerëzish që përfaqësojnë tërë sistemin shëndetësorë sepse ata kanë luftuar dhe po luftojnë kundër vdekjes të shpëtojnë jetë. Po ashtu bashkë me ta dhe në emër të tyre jam edhe unë dhe e lus qeverinë sot të bashkohet dhe të flasë me ne, në mënyrë që ky shesh të mos jetë plot njerëz në mënyrë që sistemit arsimor të mos kthehet ajo greva trejavore. Ne jemi duke u përgatitur për dialog, nëse dialogu mungon dhe nëse ligji nuk punohet bashkë me sindikatat dhe të implementohet në janar atëherë sistemi arsimor do të jetë i bllokuar nëse Ligji për paga nuk shkon siç tha Blerim Syla.”, tha Jasharaj. 

Në fund ka folur sërish Syla i cili ka thënë se prej javës së ardhshme mund të ketë bllokim të sistemit shëndetësor.