Siri, në vitin 2017 dhjetëra punonjës të shëndetësisë kanë humbur jetën

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) raportoi se 112 punëtorë të shëndetësisë dhe të kërkim-shpëtimit u vranë në Siri vitin e kaluar, ku afërsisht gjysma e tyre nga regjimi i Bashar al Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SNHR ka publikuar raportin mbi punonjësit e shëndetit dhe të kërkim-shpëtimit të cilët janë vrarë vitin e kaluar nga konfliktet mes palëve në vend.

Në raportin ku vihet në dukje se nga ekipet e shëndetësisë, të mbrojtjes civile dhe të Kryqit të Kuq kanë humbur jetën në sulme 112 punonjës, theksohet se 64 prej tyre janë nga ekipet e shëndetësisë, 44 nga ekipet e mbrojtjes civile që kryejnë punimet e kërkim-shpëtimit dhe 4 nga Kryqi i Kuq Sirian.

Në raport theksohet se nga sulmet e regjimit të Asadit, kanë humbur jetën gjithsej 51 persona nga të cilët 32 punonjës të shëndetësisë, 18 punonjës të mbrojtjes civile dhe 1 i Kryqit të Kuq, ndërsa nga sulmet e forcave ruse që hynë në veprim në vitin 2015 për të ofruar mbështetje ajrore për regjimin është dokumentuar se kanë humbur jetën 23 persona, nga të cilët 12 punonjës të shëndetësisë, 10 civilë dhe 1 person nga Kryqi i Kuq.

Ndërkohë që në raport theksohet se nga sulmet e vitit të kaluar të koalicionit ndërkombëtar nën udhëheqjen e SHBA-ve kanë humbur jetën 8 punëtorë të shëndetësisë, si dhe nga sulmet e DEASH humbën jetën gjithsej 5 persona, nga të cilët 2 nga punonjësit e shëndetësisë dhe 3 nga punonjësit e mbrojtjes civile.

Sipas raportit, 3 nga zyrtarët shëndetësor humbën jetën në sulmet e organizatës terroriste PYD/PKK dhe 3 të tjerë humbën jetën në konfliktet mes regjimit dhe opozitarëve ushtarakë.

Gjithashtu në raport është konfirmuar se në sulmet ku palët nuk janë përcaktuar kanë humbur jetën gjithsej 19 persona, nga të cilët 4 punonjës të shëndetësisë, 13 punonjës të mbrojtjes civile dhe 2 punonjës të Kryqit të Kuq.

Në raport i është bërë thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB), që të kalojë në veprim për të mbrojtur civilët, dhe që duhet të gjykohen fajtorët për krimet e luftës të regjimit dhe mbështetësve të tij, Iranit dhe Rusisë.