Siri, rreth 40.000 persona braktisin Idlibin në dy ditët e fundit

Sulmet e vazhdueshme të regjimit të Bashar al-Asadit në Siri dhe aleatët e tij në dy ditët e fundit kanë detyruar rreth 40.000 civilë të largohen nga shtëpitë e tyre në Idlib, në zonën e deeskalimit në veriperëndim të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri, për shkak të sulmeve intensive migrimi i detyruar ka marrë hov në zonat qendrore të Idlibit dhe në rajonet Ariah, Jabal Zawiya dhe Saraqib.

Sulmet e forcave të regjimit, grupeve terroriste të mbështetura nga Irani dhe sulmet ruse janë arsyet kryesore që shkaktojnë migrimin e detyruar.

Shumica e personave të zhvendosur kanë arritur në kampet në afërsi të kufirit turk ndërsa disa të tjerë u strehuan në zonat e pastruara nga elementet terroriste pas fushatave ushtarake të Turqisë.

Që nga viti 2016, Turqia ka kryer tre operacione të suksesshme në Sirinë veriore kundër YPG/PKK-së terroriste dhe DEASH-it, respektivisht operacionin Mburoja e Eufratit në vitet 2016 dhe 2017, operacionin Dega e Ullirit në vitin 2018, si dhe operacionin Burimi i Paqes i filluar në tetor të vitit të kaluar.

Me zhvendosjet e fundit, numri i personave të zhvendosur nga Idlibi dhe Halepi që nga fillimi i vitit 2019 ka arritur në 1,68 milionë persona.

Civilët përballen me vështirësi të mëdha në gjetjen e vendeve për t’u strehuar pasi kampet e refugjatëve janë të mbipopulluar dhe kanë mungesë të infrastrukturës thelbësore. Mijëra familje kanë nevojë të madhe për ndihmë humanitare përdërisa përpiqen të jetojnë në kushtet e vështira të dimrit.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit 2018 u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.

Në një veprim të fundit, Turqia më 10 janar njoftoi për një armëpushim të ri në Idlib që do të fillonte pas mesnatës më 12 janar. Megjithatë, regjimi dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani vazhduan sulmet tokësore.

Turqia është shteti me numrin më të madh të refugjatëve, pasi ka strehuar mbi 3,7 milionë migrantë që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011.