Së paku 38 civilë kanë humbur jetën gjatë sulmeve ajrore ruse të kryera të hënën në një treg në zonën e deeskalimit të përleshjeve në Idlib, Siri, tregojnë të dhënat e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardhë), raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas kreut të Mbrojtjes Civile në Idlib, Mustafa Haja Yusuf, avionët rusë goditën tregun në Maarat al-Numan, në provincën e Idlibit, ku humbën jetën 38 civilë, përfshirë edhe vullnetarin e Helmetave të Bardhë.
Korrespondenti i AA-së lajmëroi se avionë rusë dhe të regjimit kryen sulme edhe në qytetin Bidamu dhe fshatin Talmenes dhe Al-Kabina.
Turqia dhe Rusia në shtator të vitit të kaluar u dakorduan që Idlibi të bëhet zonë e deeskalimit të përleshjeve në të cilat sulmet janë të ndaluara.
Megjithatë, regjimi sirian disa herë ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit.