Siri, Rusia sistem mbrojtjeje antiajrore në bazën e Tartusit

Rusia ka ngritur prej mbi një viti një bazë detare në qytetin portual sirian të Tartusit, por tashmë konfirmon se atje ka dërguar edhe sisteme të mbrojtjes ajrore të njohura si “S-300”.

Zëdhënësi i ministrit rus të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se qëllimi i dërgimit të këtij sistemi është garantimi i sigurisë së bazës nga ndonjë sulm i mundshëm nga ajri.

Lajmi vjen mes përshkallëzimit të tensioneve mes rusëve dhe Perëndimit, e vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara pezulluan bisedimet me Rusinë mbi përpjekjet e tyre për të koordinuar sulmet ajrore mbi organizatat terroriste.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Uashingtoni dhe Moska mbajti vetëm një javë e më pas u shkel gjatë fundit të muajit të kaluar. “Më lejoni t’iu kujtoj se sistemi S-300 është një sistem me qëllime tërësisht mbrojtëse, ndaj dhe nuk përbën asnjë kërcënim për askënd”, tha gjeneral-major Konashenkov.

“Mbetet e paqartë se, përse dërgimi i një sistemi të tillë atje shkaktoi një alarm kaq të madh mes partnerëve tanë perëndimorë”, vijoi ai. Zëdhënësi theksoi më pas se sistemi në fjalë ishte i ngjashëm me atë të dërguar në det, mbi anijen “cruizer” me emrin “Moskva”. Media amerikane “Fox News” kishte raportuar më herët, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar amerikan të ketë thënë se, sistemi është dislokuar përgjatë fundjavës.

Dështimi ruso-amerikan, Europa “përvesh mëngët”
Europa po përpiqet të thotë fjalën e saj në konfliktin sirian, pasi SHBA-të dhe Rusia nuk ia dolën që të garantonin as një armëpushim që e negociuan vet. Franca dhe Spanja po përpiqen të arrijnë një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit, për një rezolutë që kërkon sërish një armëpushim në Aleppo, pasi Shtetet e Bashkuara i dhanë fund bisedimeve me Sirinë.

Teksti i hartuar nga Parisi dhe Madridi kërkon që armëpushimi të monitorohet nga OKB-ja, ndalimin e plotë të luftimeve në Aleppo dhe mbi të gjitha ndalimin e çdo lloj fluturimi ushtarak mbi të. Rezoluta e propozuar nga francezët dhe spanjollët parashikon që, kushdo që nuk i bindet armëpushimit do të përballet me masa të mëtejshme, të cilat ende nuk janë specifikuar.

Qyteti i rrethuar i Aleppos vazhdon të bombardohet ashpër nga forcat siriane dhe ruse, që nuk bëjnë asnjë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve të armatosur. Bombardimi i Aleppos është krahasuar me atë të Dresdenit në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndaj dhe ekspertët thonë se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk mund të ndalojë katastrofën njerëzore aty, as që mund të flitet për paqe në të gjithë Sirinë.

Analistët thonë se, pavarësisht qëllimit të mirë të rezolutës franko-spanjolle, që ajo të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, duhet edhe vota ruse, diçka që aktualisht nuk është aspak e lehtë, duke qenë se Moska ka përkeqësuar gjendjen në këtë qytet sirian. Ndërkohë në Aleppo raportohet se kanë mbetur vetëm 5 spitale dhe 29 mjekë për t’u kujdesur për 300 mijë civilë të rrethuar, mes të cilëve mbi 85 mijë fëmijë.