Siri, vriten 4 civilë në sulmet ajrore ruse në Idlib

Rusia ka kryer sulme ajrore në zonën e deeskalimit në Idlib në veriperëndim të Sirisë, duke vrarë të paktën 4 civilë, njoftoi sot grupi sirian i Mbrojtjes Civile, transmeton Anadolu Agency (AA).

Observatori i opozitës siriane të aviacionit tha se avionët rusë shënjestruan zonat pranë provincës perëndimore të Halepit.

Grupi i Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) tha se 4 civilë u vranë dhe 3 të tjerë u plagosën në sulme.

Regjimi i Bashar al-Asadit dhe aleatët e tij kanë vazhduar intensifikimin e sulmeve ajrore dhe tokësore ndaj vendbanimeve civile në zonën e deeskalimit në Idlib.

Në shtator 2018, Turqia dhe Rusia ranë dakord ta shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Por, më shumë se 1.800 civilë atje janë vrarë në sulme nga regjimi dhe forcat ruse që nga ajo kohë, pasi armëpushimi vazhdon të shkelet.

Turqia më 10 janar njoftoi për fillimin e një armëpushimi në Idlib menjëherë pas mesnatës së 12 janarit, por regjimi dhe grupet terroriste të mbështetur nga Irani vazhduan sulmet tokësore.

Më shumë se 1 milion sirianë kanë lëvizur afër kufirit turk për shkak të sulmeve intensive gjatë vitit të kaluar.

Turqia mbetet vendi me më së shumti refugjatë në botë, duke strehuar më shumë se 3.7 milionë refugjatë që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011.