Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Siria mbyll kampin Rukban, e cilëson fund të një tragjedie humanitare

Siria mbyll kampin Rukban, e cilëson fund të një tragjedie humanitare

Siria ka njoftuar zyrtarisht mbylljen e kampit të zhvendosurve Rukban, duke e cilësuar këtë hap si fundin e një prej tragjedive më të mëdha humanitare të shkaktuara nga lufta civile 13-vjeçare.

“Mbyllja e kampit Rukban shënon fundin e një prej tragjedive më të rënda që kanë përjetuar të zhvendosurit tanë,” tha ministri sirian i emergjencave Raed al-Saleh. Ai shtoi se ky është një hap drejt kthimit të njerëzve në shtëpitë e tyre me dinjitet dhe siguri.

Kampi ndodhej në kufirin verilindor mes Sirisë dhe Jordanisë dhe për vite me radhë strehoi mijëra njerëz të zhvendosur që prisnin të hynin në Jordani. Pas një sulmi vetëvrasës në vitin 2016, ku u vranë ushtarë jordanezë, kufiri u mbyll dhe ndihmat humanitare u ndërprenë.

Kampi u zbraz plotësisht pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor, kur shumë familje nisën të ktheheshin në qytetet dhe fshatrat e tyre. Assad u largua në Rusi, ndërsa në janar, Ahmed al-Sharaa u shpall president i përkohshëm i vendit.

Autoritetet siriane shpresojnë se mbyllja e kampit Rukban do të pasohet nga mbyllja e kampeve të tjera dhe kthimi i plotë i të zhvendosurve në vendbanimet e tyre. /mesazhi