Siria: Në takimin Sharaa-Trump u trajtua partneriteti në luftën kundër terrorizmit

Në takimin e presidentit sirian Ahmad al-Sharaa me homologun e tij amerikan, Donald Trump, u trajtua partneriteti në luftën kundër terrorizmit, tha Ministria e Jashtme e Sirisë, transmeton Anadolu.

Sharaa dhe Trump zhvilluan sot takimin e tyre të parë në kryeqytetin saudit, Riad. Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, mori pjesë në takim, të cilit iu bashkua edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan nëpërmjet një thirrjeje.

Duke e quajtur takimin “historik”, Ministria e Jashtme tha se në të u nënvizua rëndësia e heqjes së sanksioneve të vendosura ndaj Sirisë dhe mbështetja e përpjekjeve të rimëkëmbjes dhe rindërtimit.

“Në takim u trajtuan mënyrat e partneritetit midis Sirisë dhe SHBA-së në fushën e luftimit të terrorizmit dhe bashkëpunimit në eliminimin e ndikimit të aktorëve joshtetërorë dhe grupeve të armatosura josiriane që pengojnë stabilitetin, përfshirë DEASH-in dhe kërcënime të tjera”, tha Ministria.

Sipas saj, Trump ka pohuar angazhimin e vendit të tij për të qëndruar përkrah Sirisë gjatë kësaj faze kritike.

Bin Salman, nga ana e tij, ka theksuar domosdoshmërinë e heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë për të arritur stabilitetin në rajon, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ajo shtoi se Sharaa ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen rajonale dhe ndërkombëtare, duke theksuar rrugën e sigurt të Sirisë drejt së ardhmes.

Sipas deklaratës, ministri i Jashtëm sirian Asaad al-Shaibani do të takohet me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio për të ndjekur koordinimin dypalësh dhe për të përforcuar mirëkuptimet e arritura midis dy vendeve.

Të martën, Trump tha gjatë Forumit të Investimeve Arabi Saudite-SHBA 2025 në Riad se do të urdhërojë heqjen e sanksioneve “brutale dhe paralizuese” të SHBA-së ndaj Sirisë.