Sindikata e Policisë nuk do t’i futet grevës pas pezullimit të Ligjit të Pagave.
Ky vendim është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga kjo sindikatë, të cilët kanë sqaruar se për çështjen në fjalë, do të presin vendimin final të Kushtetueses, shkruan lajmi.net.
Në mbledhjen e mbajtur sot, është vendosur që të zhvillohen edhe takime të një rëndësie të veçantë, lidhur me çështjet jetike për policët e Kosovës, si ajo e sigurimeve shëndetësore, sigurimit jetësor dhe aksidental, pagesën e ndërrimit të natës dhe çështje tjera.
Vendimi i Sindikatës së Policisë, vije pas grevave të mbajtura sot në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë për Ligjin e Pagave.
Njoftimi i plotë nga Valbona Kamberi nga sindikata e Policisë së Kosovës:
Me datën 13/12/2019 në selinë e Sindikatës së Policisë së Kosovës në Prishtinë, është mbajt takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit Drejtues te Sindikatës se Policisë së Policisë së Kosovës.
Temë e këtij takimi ishte situata e re e krijuar pas pezullimit te ligjit te pagave nga Gjykata Kushtetuese e Republikës se Kosovës.
Ne ketë takim është diskutuar dhe është marr parasysh situata në të cilën po kalon vendi dhe mbi bazën e kësaj, Këshilli Drejtues i sindikatës të Policisë së Kosovës ka marrë vendim që të pritet gjerë ne marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, bazuar në atë se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit te ligjit, vendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës nuk i interpretojmë apo diskuton , por kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që çështjen e ligjit të pagave ta trajtoj me prioritet.
Nga Institucionet e vendit kërkojmë që të gjitha të drejtat dhe obligimet që burojnë nga ligji i pagave të zbatohen në mënyrë retroaktive nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
Gjithashtu në këtë takim në mënyrë unanime është marr vendim që të mbahen takimet me bartësit e institucioneve të vendit që të realizohen kërkesat e kamotshme të Sindikatës të Policisë së Kosovës e që janë:
-Sigurimi shëndetësor
-Sigurimi Jetësor dhe aksidental
-Ligji për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës (ligj ky i cili është duke u zvarritur që një kohë të gjatë).
-Pagesën e ndërrimit të natës në mënyrë të dinjiteteshme
-Pagesën e shujtës dhe të transportit për pjesëtaret e policisë se Kosovës
Në fund këshilli drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës përkrah kërkesat e ligjshme te sindikatave ,si Sindikata e Arsimit SBASHK-ut dhe Sindikatën e shëndetësisë FSSHK-ën.