S’ka liberalizim të vizave për kosovarët deri në fund të vitit 2021

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk do të ndodh këtë vit. Megjithëse pritjet kanë qenë të larta që gjatë presidencës gjermane të Këshillit të BE-së të arrihet një gjë e tillë dhe pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve e takimit që pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme në mes të delegacioneve teknike Kosovë-Francë për këtë çështje, “drita e gjelbër” për vizat mund të ndodhë të vijë në fund të vitit 2021.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon thotë për KosovaPress se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të vihet në rend të ditës në takimet e mbetura të kryesuara nga Gjermania, por liberalizimi formal i vizave mund të vijë vetëm në presidencat e mëvonshme të Këshillit.

Von Cramon: Shpresojmë që Këshilli do të sjellë një fund të suksesshëm për këtë deri në fund të vitit të ardhshëm

“Ne në Parlamentin Evropian e kemi ngritur këtë çështje në të gjitha rastet e mundshme. Gjithashtu, edhe presidenca gjermane ka bërë presion për liberalizimin e vizave për Kosovën, kjo gjithashtu është diskutuar edhe në nivelet më të larta. Padyshim që ky është një zhvillim i rëndësishëm dhe diskutime serioze janë zhvilluar në lidhje me atë se çfarë tjetër mund të bëhet në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo mund të vihet në rendin e ditës gjithashtu edhe në takimet e mbetura të kryesuara nga Gjermania, megjithatë, në këtë moment ka më shumë të ngjarë që ‘drita e gjelbër’ përfundimtare do të vijë vetëm në presidencat e mëvonshme të Këshillit. Shpresojmë që Këshilli do të sjellë një fund të suksesshëm për këtë deri në fund të vitit të ardhshëm”, thotë ajo në një përgjigje për KosovaPress.