S’ka risi në premtimet e kandidatëve për kryetar të komunave

Nuk ka risi në premtimet e subjekteve politike për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Organizatat e shoqërisë civile thonë se edhe në këto zgjedhje, ashtu si edhe në ato të vitit 2013, dominojnë premtimet të cilat ndërlidhen më përmirësimin e kushteve infrastrukturore.

Sipas Demokracisë në Veprim, kandidatët për kryetarë komunash shpesh po premtojnë edhe projekte të cilat nuk janë të nivelit lokal.

Asfaltimi i rrugëve, furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të zeza, ngritja e cilësisë në arsim, e shërbimet shëndetësore më të mira, janë premtimet më ta shpeshta të kandidatëve për kryetarë komunash.

Organizatat të cilat po merren me monitorimin e fushatës zgjedhore pohojnë se përgjithësisht premtimet janë të njëjta me ato të vitit 2013.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se pak a shumë të gjitha premtimet e dhëna janë të njëjta me ato të vitit 2013.

“Pra, kryesisht të fokusuara në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në përmirësimin e shërbimeve komunale”, tha Murati.

Përfaqësuesi i Demokracisë në Veprim, Albert Krasniqi, tha për Radio Kosovën se edhe në këto zgjedhje dominojnë premtimet të cilat kryesisht kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës.

Krasniqi theksoi se monitoruesit e këtij koalicioni të organizatave të shoqërisë civile kanë vërejtur edhe premtime të cilat vështirë janë të realizueshme nga niveli lokal.

“Partitë politike kanë hyrë më të përgatitura në garë në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Megjithatë shpesh herë bëjnë premtime të cilat janë vështirë të zbatueshme, pasi që janë në kompetencë të nivelit qendror e jo të atij lokal. Ata po mundohen të marrin votë aty ku munden me premtime shpeshherë ad-hok, vetëm sa për të përmbushur një kërkesë që mund të vije nga votuesit në atë moment”, theksoi Albert Krasniqi për Radio Kosovën.

Ndërkaq, Isuf Zejna, nga Demokracia Plus, theksoi se edhe pse partitë politike kanë qenë më të matura në premtime, përsëri disa nga kandidatët për kryetarë komunash premtojnë projekte, për të cilat madje nuk kanë as mbulueshmëri financiare.

Partitë politike me kandidatët e tyre për kryetarë komunash dhe asamblistë mund të bëjnë premtime për qytetarët vetëm deri të premten në mesnatë. E shtuna është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën qytetarët votojnë në zgjedhjet lokale 2017.