Somalia kërkon nga Izraeli të tërheqë njohjen e Somalilandit

Israel's Netanyahu made a video call to Somaliland's President Abdirahman Mohamed Abdullahi to announce the recognition [Handout: Somaliland Presidency]

Somalia i ka kërkuar Izraelit të anulojë njohjen e rajonit të shkëputur të Somalilandit, duke e cilësuar këtë veprim si një akt agresioni dhe shkelje të sovranitetit të saj.

Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme i Somalisë, Ali Omar, tha për Al Jazeera se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike për të kundërshtuar atë që e quajti ndërhyrje izraelite në punët e brendshme të vendit. Ai theksoi se ky veprim nuk do të pranohet kurrë nga populli dhe institucionet e Somalisë.

Reagimi i ashpër erdhi një ditë pasi Izraeli u bë shteti i parë në botë që njohu zyrtarisht Somalilandin, një rajon që u shkëput nga Somalia në vitin 1991, por që deri më tani nuk është njohur nga asnjë shtet anëtar i OKB-së.

Ali Omar akuzoi Izraelin se njohja e Somalilandit lidhet me plane për zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Gaza. Këtë qëndrim e mbështeti edhe Ministria e Jashtme e Palestinës, duke e cilësuar çdo përpjekje për zhvendosje të palestinezëve si “vijë të kuqe”.

Kryeministria e Somalisë deklaroi se veprimi i Izraelit përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të vendit dhe theksoi se Somaliland mbetet pjesë e pandashme e territorit somalez.

Nga ana tjetër, presidenti i Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi (Cirro), e mbrojti njohjen izraelite, duke thënë se ajo nuk është e drejtuar kundër asnjë shteti dhe nuk rrezikon paqen rajonale. Pas njoftimit, mijëra persona festuan në rrugët e kryeqytetit Hargeisa.

Reagime kundërshtuese erdhën edhe nga Bashkimi Afrikan dhe Liga Arabe, të cilat dënuan njohjen e Somalilandit nga Izraeli si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një precedent të rrezikshëm për stabilitetin rajonal. /mesazhi