Somalia e ka refuzuar fuqishëm atë që e përshkroi si hap të paligjshëm nga Izraeli për të njohur rajonin e saj separatist, Somalilandin, si shtet të pavarur, duke e quajtur këtë veprim shkelje të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, transmeton Anadolu.
Në një komunikatë për media, Zyra e Kryeministrit rikonfirmoi “angazhimin absolut dhe të panegociueshëm ndaj sovranitetit, unitetit kombëtar dhe integritetit territorial”, duke iu referuar Kushtetutës së Përkohshme të Somalisë, Kartës së OKB-së dhe Aktit Konstitutiv të Bashkimit Afrikan si bazë ligjore.
“Qeveria Federale e Somalisë e refuzon kategorikisht dhe pa mëdyshje sulmin e qëllimshëm ndaj sovranitetit të saj dhe hapin e paligjshëm të Izraelit që pretendon të njohë rajonin verior të Somalisë”, thuhet në deklaratë.
Ajo theksoi se “Rajoni i Somalilandit është pjesë integrale, e pandashme dhe e patjetërsueshme e territorit sovran” të Somalisë.
“Asnjë aktor i jashtëm nuk ka autoritet apo të drejtë të ndryshojë unitetin apo konfigurimin territorial të saj”, shtohet më tej, duke paralajmëruar se “çdo deklaratë, njohje apo marrëveshje” që sfidon këtë status është “e pavlefshme, pa asnjë efekt ligjor apo politik në kuadër të së drejtës ndërkombëtare”.
Qeveria gjithashtu përsëriti mbështetjen për të drejtat palestineze, duke thënë se Somalia “refuzon në mënyrë të vendosur okupuimin, zhvendosjen e detyruar, inxhinierinë demografike dhe zgjerimin e vendbanimeve kolone”.
“Somalia kurrë nuk do të pranojë shndërrimin e popullit palestinez në popull pa shtet”, thuhet në deklaratë.
Ajo paralajmëroi gjithashtu kundër ngritjes së bazave të huaja ushtarake që mund ta tërheqin vendin në “konflikte të deleguara apo të importojnë armiqësi rajonale dhe ndërkombëtare”.
Deklarata thekson se veprime si njohja nga Tel Avivi rrezikojnë të “minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal” dhe të “përkeqësojnë tensionet politike dhe të sigurisë” në Bririn e Afrikës, Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
Ajo paralajmëroi se lëvizje të tilla mund të “krijojnë kushte të favorshme që grupet terroriste të përfitojnë nga paqëndrueshmëria politike”.
Qeveria somaleze i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të “veprojë me përgjegjësi” dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e mosndërhyrjes.
Ajo gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve somalezë të mbeten “të bashkuar, vigjilentë dhe të vendosur” në mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të vendit.
Qeveria theksoi se do të ndjekë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike, politike dhe ligjore” për të mbrojtur kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht.
Më herët gjatë ditës, Izraeli e njohu rajonin separatist të Somalisë, Somalilandin, si shtet të pavarur dhe sovran.
Somalilandi, i cili ka qenë pa njohje zyrtare që prej shpalljes së pavarësisë nga Somalia në vitin 1991, funksionon si një ent de fakto i pavarur administrativ, politik dhe i sigurisë, me qeverinë qendrore që nuk arrin të ushtrojë kontroll mbi rajonin dhe me udhëheqjen e tij që nuk ka mundur të sigurojë njohje ndërkombëtare të pavarësisë.
Qeveria somaleze refuzon ta njohë Somalilandin si shtet të pavarur, e konsideron atë pjesë integrale të territorit të saj dhe çdo marrëveshje direkte apo angazhim me të e sheh si shkelje të sovranitetit dhe unitetit të Somalisë.




