Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sondazh: Amerikanët fajësojnë Trumpin për rritjen e çmimeve të karburantit

Sondazh: Amerikanët fajësojnë Trumpin për rritjen e çmimeve të karburantit

Amerikanët në përgjithësi nuk e miratojnë mënyrën se si Trump po i menaxhon çmimet e karburantit, me 65 për qind që kanë shprehur mosmiratim dhe 28 për qind që kanë shprehur miratim

Një shumicë e madhe e amerikanëve thonë se çmimet e karburantit po rriten dhe shumë prej tyre fajësojnë politikat e presidentit Donald Trump, sipas një sondazhi të ri që thekson shqetësimet ekonomike që kapërcejnë linjat partiake, transmeton AA.

Sondazhi, i kryer nga “Navigator Research” dhe i publikuar sot, zbuloi se 87 për qind e amerikanëve besojnë se çmimet e karburantit po rriten, përfshirë 60 për qind që thonë se ato po rriten shumë.

Shqetësimi shtrihet në të gjitha përkatësitë politike, me 91 për qind të demokratëve, 90 për qind të të pavarurve dhe 81 për qind të republikanëve që raportojnë kosto më të larta.

Amerikanët në përgjithësi nuk e miratojnë mënyrën se si Trump po i menaxhon çmimet e karburantit, me 65 për qind që kanë shprehur mosmiratim dhe 28 për qind që kanë shprehur miratim, një diferencë negative prej 37 pikësh. Ndër të pavarurit, mosmiratimi është edhe më i theksuar, me 72 për qind kundrejt 15 për qind.

Ndërsa republikanët në përgjithësi mbeten më mbështetës, sondazhi tregon përçarje brenda partisë. Republikanët jo-MAGA kanë më shumë gjasa të mos e miratojnë sesa ta miratojnë mënyrën se si Trump po i menaxhon çmimet e karburantit, ndërsa gratë republikane tregojnë mbështetje më të dobët se burrat republikanë.

Sondazhi gjithashtu identifikon luftën me Iranin si një faktor qendror në rritjen e kostove të karburantit. Rreth 71 për qind e të anketuarve e kanë përmendur konfliktin si shkak të rritjes së çmimeve të karburantit, më shumë se ata që kanë fajësuar kompanitë e naftës dhe gazit ose vetëm liderët politikë vetëm.

Të pyetur për të caktuar përgjegjësinë, 60 për qind kanë thënë se Trump dhe republikanët në Kongres kanë më shumë faj për rritjen e çmimeve të karburantit sesa demokratët në Kongres, krahasuar me 16 për qind që kanë fajësuar demokratët. Ky hendek zgjerohet kur lufta përmendet në mënyrë të qartë si shkak.

Sa i përket pyetjes se cila parti është më e aftë të menaxhojë çmimet e karburantit, amerikanët janë të ndarë ngushtë. Tridhjetë e pesë për qind kanë thënë se u besojnë më shumë demokratëve ndërsa 31 për qind kanë favorizuar Trumpin dhe republikanët. Më shumë se një e katërta e të anketuarve kanë thënë se nuk u besojnë asnjërës palë.

Sondazhi është zhvilluar nga 2 deri më 6 prill me 1.000 votues të regjistruar, me një marzh gabimi plus ose minus 3,1 pikë përqindjeje, njofton “Navigator Research”.