Sonte përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

Sonte, në orën 23:59 do të mbyllet afati zyrtar për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë me të cilët subjektet politike do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

Deri më tani, KQZ ka certifikuar 23 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike; 3 koalicione; 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Jashtë certifikimit nga KQZ ka mbetur partia Lista Serbe, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se pas dorëzimit të kandidaturave për deputetë, ky institucion do të ndërmarrë veprimet e radhës për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve nëse përmbushin kriteret ligjore.

“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, tha Elezi.

Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet nëse bie në kategoritë e ndaluara nga ligji, përfshirë mbajtjen e funksioneve të veçanta publike, pozitat diplomatike, anëtarësinë në organet zgjedhore apo mosrespektimin e vendimeve të PZAP-it dhe KQZ-së.

Kufizimi më i rëndësishëm është ai që ndalon kandidimin e çdo personi që në tre vitet e fundit ka një dënim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me së paku një vit burgim efektiv.

Para këtij afati, procesi zgjedhor ka kaluar tre faza kyçe: aplikimin për certifikimin e subjekteve politike që synojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, regjistrimin e koalicioneve ndërmjet partive, si dhe njoftimin zyrtar të subjekteve që kanë vendosur të mos marrin pjesë në garë.

Të gjitha këto procedura u përmbyllën më 30 nëntor, po ashtu në orën 23:59.

Fushata zyrtare për zgjedhjet nacionale pritet të nisë më 17 dhjetor.

Ndërkohë, sot nga ora 14:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hedhë shortin për renditjen e partive politike në fletëvotim, hap që do të përcaktojë pozicionimin e secilit subjekt në listën zgjedhore.