Sot në Bruksel vazhdon dialogu, BE-ja dhe ShBA-ja përfshihen për tejkalimin e situatës pas tensioneve në veri të Kosovës

Sot në Bruksel nis faza takimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku pos Bashkimit Evropian aty do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës merr vesh Telegrafi.

Burime nga Brukseli i kanë thënë Telegrafit se të mërkurën do të zhvillohet një takim mes dy kryenegociatorëve nga Kosova e Serbia.

Pjesëmarrjen e Kosovës e kanë konfirmuar edhe nga zyra e Kryeministrit.

Ndërkaq, Kosovën do ta përfaqësojë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa nga pala serbe do jetë Petar Petkoviq.

Takimin si zakonisht do ta udhëheqë ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.

Gjithashtu në Bruksel do të jetë edhe Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euro Azisë në Departamentin amerikan të Shtetit, njëherësh i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por ai nuk do të jetë pjesë e takimeve zyrtare merr vesh Telegrafi.

“Të mërkurën, ne do të kemi z. Bislimi dhe z. Petkoviç në Bruksel me qëllim që të bien dakord për deeskalimin e situatës dhe për të ecur para”, kanë thënë për Telegrafin nga Brukseli.

Ndryshe, prej nëntë ditësh pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po patrullojnë në afërsi të dy pikave kufitare me Serbinë.

Kjo po ndodh pasi që serbët kanë vendosur barrikada në formë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha automjetet me targa të Serbisë për të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme të Kosovës.

Nga e hëna në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak kanë nisur patrullimet edhe ushtarët e KFOR-it.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla një ditë më parë ka folur sot rreth vendosjes së trupave të KFOR-it në veri, duke thënë KFOR-i ka ofruar angazhim shtesë, sigurimin e policisë kufitare dhe pikave kufitare dhe se me largimin e barrikadave prezenca e Njësisë speciale do të ishte e panevojshme.

Sveçla në një konferencë për media tha se edhe kjo ofertë e KFOR-it është refuzuar nga elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim u dëshmua se nuk janë të brengosur me praninë e Njësisë speciale të Kosovës por që veprimet e tyre janë politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë.

“Ne që nga dita e parë e kemi bërë të qartë se masat e ndërmarra nuk janë drejtuar kundër qytetarëve të cilësdo përkatësi. Është përmbushje e obligimit ligjor për të siguruar rend dhe ligj. Angazhimi i Njësive speciale të Policisë së Kosovës është bërë për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe personelin që shërben aty, Policinë e kufirit dhe doganierët. Pas vendosjes së barrikadave kemi parë ashpërsim të retorikës së autoriteteve serbe dhe përfaqësuesve të strukturave paralele”, është shprehur ai, raporton Telegrafi.

Ai bëri të ditur se KFOR-i ka ofruar angazhim shtesë, sigurimin e policisë kufitare dhe pikave kufitare dhe me largimin e barrikadave prezenca e Njësisë speciale do të ishte e panevojshme.

“Edhe kjo ofertë e KFOR-it është refuzuar nga elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim u dëshmua se nuk janë të brengosur me praninë e Njësisë speciale të Kosovës por që veprimet e tyre janë politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë.

Njësitë Speciale të Policisë janë aty për të mbështetur punën e institucioneve tjera atje, doganës dhe Policisë kufitare.

Në momentin që do të përfundojë nevoja për këtë mbështetje nuk kemi arsye që policia speciale e Kosovës të qëndroj aty”, ka thënë ministri.