Sot votohet për demarkacionin me Malin e Zi

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në një seancë plenar në të cilën do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Dy partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë dhënë mbështetje ratifikimit të marrëveshjes, ndonëse ka deputetë që në forma individuale janë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë marrëveshje.

Ndërkohë, opozita ka qëndrime të qarta kundër Demarkacionit, por format e kundërshtimit dallojnë.

Lëvizja “Vetëvendosje”, ndërkaq ka paralajmëruar se do të mbajë një protestë, për siç thonë pengimin e miratimit të kësaj marrëveshjeje.

Ndërkaq dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë ritheksuar se nuk do të jenë pjesë e protestës së thirrur nga Vetëvendosje, por kanë ftuar liderët e institucioneve që të heqin dorë nga marrëveshja aktuale me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thenë se partitë politike duhet të marrin përgjegjësi dhe mos të luajnë me emocione të qytetarëve për padrejtësitë historike që u janë bërë ndër vite.

Ai tha se pavarësisht përpjekjeve të partive politike për të ngritur kauza të paqëndrueshme nga emocionet e qytetarëve nga zona të caktuara, nga procesi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit dhe nga Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të përfitojë askush politikisht.