Soylu: E dimë se ku ndodhet Adil Öksüz

Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu ka deklaruar se e dinë vendndodhjen e Adil Öksüz, i ashtuquajturi “imam” i FETO-s, përgjegjës për pjesëtarët e organizatës në Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK), transmeton Anadolu Agency (AA).

Soylu, për televizjonin “Kanal 7” ka bërë një vlerësim lidhur me çështjet e rendit të ditës ku ka folur rreth punimeve kundër organizatës terroriste FETO.

Në pyetjen lidhur me identifikimin e 5.149 përdoruesve të programit Bylock nga të cilët 1.387 janë në detyrën me funksion publik, Soylu tha se “Janë si Matrioshka, hapni një, më pas hapni një tjetër dhe në çdonjërën prej tyre arrini disa rezultate”.

Ai e ka cilësuar FETO-n jo vetëm një organizatë terroriste por në të njëjtën kohë edhe si një organizatë të inteligjencës.

“Lidhur me këtë ka nga ata që kanë qenë të përfshirë në tradhtinë e 15 korrikut. Disa prej tyre janë të lidhur si çështje gjyqësore ndërsa disa të tjerë vazhdojnë. Por, ka edhe rrëfime, pranime. Një tjetër çështje është edhe programi Bylock i cili është një mekanizëm i komunikimit për organizatën dhe kjo është zgjidhur mirë. Janë zbuluar dhe zgjidhur shumë gjëra nga kjo. Brenda kësaj janë të përfshirë struktura financiare, struktura e fshehtë si dhe telefonatat e zhvilluara nga telefonët publik”, tha Soylu duke shtuar më tej:

“Pas skanimeve të Bylock kemi arritur në disa fusha të cilat pasi zbulon një të del një linjë tjetër me 5 mijë, më pas një tjetër me 10 mijë, 15 mijë, 20 mijë, në 25 mijë. Bylock u zbulua 3.5 – 4 vite më parë dhe që nga ajo kohë edhe aftësitë tona janë zhvilluar. Ato që identifikojmë i shtojmë në hetimet e mëparshme”, tha Soylu.

Ministri i Brendshëm tha se SHBA-ja mban kreun e organizatës terroriste dhe ruan fuqinë financiare të tij. “Ne i dimë mirë, ‘si në pëllëmbë të dorës‘ se ku ndodhen dhe se në çfarë pike janë. E dimë se si fitojnë dhe se si i kryejnë këto veprime. A thua se SHBA-ja nuk i di këto, ndërkohë që ne i dimë? A nuk është në dijeni Amerika për çështjet e tyre joligjore në kundërshtim me drejtësinë? A nuk po ruhen në Evropë dhe në Gjermani ata që ne po kërkojmë, ata të cilët janë përfshirë në grusht shtetin në Turqi. Po i ruajnë”, tha Soylu.

Në pyetjen nëse mund ta konfirmojë apo jo që ndodhet në Gjermani, ministri Soylu tha se e dinë vendndodhjen e Adil Öksüz, i ashtuquajturi “imam” i FETO-s, përgjegjës për pjesëtarët e organizatës në Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK). Por, se ky informacion duhet “të qëndrojë tek ne”.

Adil Öksüz, është një nga emrat kryesorë në hetimin kundër tentativës për grusht shteti të kryer nga organizata terroriste FETO në Turqi më 15 korrik të vitit 2016.