SpaceX dërgon astronautë nga SHBA, Rusia dhe EBA në stacionin hapësinor

Prodhuesi amerikan i anijeve hapësinore dhe raketave SpaceX dërgoi anijen e saj kozmike me 4 astronautë nga SHBA-ja, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për misionin e Agjencisë Amerikane të Hapësirës Ajrore (NASA), transmeton Anadolu.

Anija kozmike që mbante dy astronautë amerikanë, një kozmonaut rus dhe një astronaut të EBA-së për misionin Crew-6 të NASA-s u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy në orën 00:34 me kohën lokale.

Thuhet se kapsula u ngrit katër vjet pas fluturimit të parë provë në orbitë, me astronautët që pritej të shërbenin në stacionin hapësinor për rreth 6 muaj.

“Mirë se erdhët në orbitë. Mos harroni të na vlerësoni me 5 yje nëse ju pëlqeu udhëtimi”, thuhej nga radioja e SpaceX.

“Është fantastike të kesh mundësinë të fluturosh me këta djem”, tha udhëheqësi i ekipit të astronautëve Stephen Bowen.

Ekipi do të marrë përsipër detyrën nga astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor që ndodhen atje nga tetori i vitit të kaluar.

Sipas deklaratës nga zyrtarët e SpaceX, përpjekja për lëshimin e raketës së planifikuar të kryhej nga Qendra Hapësinore Kennedy më 27 shkurt u ndal 2 minuta para nisjes për shkak të një filtri të bllokuar në sistemin e ndezjes së motorit.