Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Spanja dënon ndalimin izraelit të “Mjekëve pa Kufij”

Spanja dënon ndalimin izraelit të “Mjekëve pa Kufij”

Qeveria spanjolle dënoi të hënën vendimin e Izraelit për të ndaluar aktivitetet e organizatës humanitare mjekësore “Mjekët pa Kufij” (MSF) në Rripin e Gazës.

“Qeveria spanjolle dënon vendimin e autoriteteve izraelite për të vendosur ndalimin e aktiviteteve të “Mjekëve pa Kufij”, të cilat janë thelbësore për lehtësimin e gjendjes dramatike shëndetësore të popullatës së Gazës në Rripin e Gazës”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme në një deklaratë me shkrim.

Deklarata thekson se organizatat humanitare ndërkombëtare, si “Mjekët pa Kufij”, ofrojnë “ndihmë të pazëvendësueshme” në shërbimet shpëtuese të jetës në të gjithë Gazën dhe Bregun Perëndimor.

“Puna e ‘Mjekëve pa Kufij’ në Gaza, ashtu si edhe ajo e të gjitha organizatave humanitare në fushën e shëndetësisë, është thelbësore për përballimin e situatës humanitare katastrofike në Rrip, duke ofruar ndihmë jetike për popullatën palestineze në Gaza, e cila po i nënshtrohet dhunës së padurueshme”, shtohet në deklaratë.

Qeveria spanjolle i bëri gjithashtu thirrje Tel Avivit ta tërheqë vendimin, duke thënë se ai “minon seriozisht parimet më bazike morale”, dhe i kujtoi Izraelit detyrimin për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe për të reduktuar vuajtjet e të gjithë njerëzve.

Izraeli të dielën ndaloi aktivitetet e organizatës mjekësore “Mjekët pa Kufij” (MSF) në Rripin e Gazës dhe urdhëroi organizatën të largohet nga enklava deri më 28 shkurt.

Ministria izraelite për Çështjet e Diasporës, e cila mbikëqyr marrëdhëniet me organizatat humanitare që veprojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, tha se vendimi u mor pasi organizata refuzoi t’i dorëzojë Tel Avivit listat e stafit të saj.

“Mjekëve pa Kufij” është një nga organizatat humanitare më të mëdha që veprojnë në Gaza, dhe ndalimi i aktiviteteve të saj pritet të shkaktojë dëme të rënda në shërbimet mjekësore tashmë të pakta në enklavë.

Lufta dyvjeçare e Izraelit në Gaza ka vrarë gati 71.800 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 171.400. Sulmi ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile në Gaza, ndërsa vlerësimet e OKB-së e vendosin koston e rindërtimit në rreth 70 miliardë dollarë.