Spitali Al-Quds në Gaza jashtë shërbimit për shkak të mungesës së karburantit dhe energjisë elektrike

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze (PRCS) njoftoi sot se Spitali Al-Quds është jashtë funksionit për shkak të mungesës së karburantit dhe ndërprerjes së energjisë elektrike, transmeton Anadolu.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha në një deklaratë se “Spitali Al-Quds është jashtë shërbimit dhe nuk funksionon më”.

“Ndërprerja e shërbimeve është për shkak të shterjes së karburantit në dispozicion dhe ndërprerjes së energjisë elektrike”, shtohet në deklaratë.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se “i mban përgjegjës komunitetin ndërkombëtar dhe nënshkruesit e Konventës së Katërt të Gjenevës për prishjen e plotë të sistemit shëndetësor dhe për kushtet e rënda humanitare që rezultojnë”.

Izraeli ka kryer sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës – duke përfshirë spitalet, rezidencat dhe objektet fetare – që nga sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

Të paktën 11.100 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 4.506 fëmijë dhe 3.027 gra. Ndërkohë, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200, sipas shifrave zyrtare.