Stano: BE-ja, bashkë me Kosovën dhe Serbinë, ndërmarrin hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se ditët në vijim, institucionet e BE-së me mbështetjen e liderëve të kësaj organizate, do të ndërmarrin hapat e parë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, së bashku me Kosovën dhe Serbinë.

Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia janë të obliguar kontraktualisht të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin, dhe ka bërë të qartë se nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë do të braktisin rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ai ka përkujtuar se Borrell ka deklaruar se “do t’i këshillojë të dyja palët në kryerjen e punës së tyre” në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë aneksin zbatues.

Zëdhënësi i BE-së, siç raporton “Danas”, nënvizoi se “tashmë do të jenë në lojë reputacioni dhe besimi ndërkombëtar në Kosovë dhe Serbi, kështu që duhet të tregohen si partnerë të besueshëm për BE-në, prandaj është e nevojshme të zbatohet ajo që kanë premtuar”.

Ai theksoi se dispozitat e marrëveshjes dhe aneksit do të inkorporohen në kapitullin 35 të negociatave BE-Serbi për anëtarësim dhe programi i Grupit Special të BE-së për normalizim me Kosovën.

“Kjo do të thotë se të dyja palët do të jenë të detyruara kontraktualisht t’i zbatojnë ato dispozita nëse duan të përparojnë drejt BE-së, kurse moszbatimi do të thotë braktisje e rrugës drejt Bashkimit Evropian”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Stano vuri në dukje se Borrell i informoi liderët e BE-së për bisedimet në Ohër javën e kaluar dhe tha se Kosova dhe Serbia tani duhet të zbatojnë në praktikë atë për të cilën kanë arritur një marrëveshje.

Siç theksoi ai, “Borrell edhe një herë prezantoi se çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e marrëveshjes së Ohrit është i pavlefshëm, kurse gjithçka që ka ndodhur në dialogun e deritanishëm ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet me shkallën e zbatimit të saj, jo me nënshkrimin”.

“Përfaqësuesi i lartë i BE-së [Borrell] e ka bërë shumë të qartë se marrëveshja e Ohrit është finalizuar, se ajo duhet të zbatohet dhe se nuk ka vend për të zgjedhur atë që duan dhe çfarë jo”.

Stano tha se të enjten e kaluar liderët e BE-së i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre të marra në takimin e Ohrit dhe theksoi se “Kosova dhe Serbia janë obliguar për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes dhe aneks”.

Në pyetjen se çfarë ka menduar i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, kur deklaroi se “duhet të fokusohemi dhe të fillojmë me çështjet që Serbia dhe Kosova mund të bëjnë dhe që mund t’i bëjnë menjëherë”, Stano tha se “të dyja palët e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bien dakord dhe zbatojnë sepse e kanë pranuar shprehimisht në marrëveshjen e Ohrit dhe BE-ja sigurisht që do t’i ndihmojë, por nuk është BE ajo që do të propozojë zgjidhje specifike, ndërsa detyrimet janë ndërmarrë qartë”.

“Dhe të dyja palët e dinë që do të ketë pasoja shumë të pafavorshme nëse kjo nuk bëhet, sepse është pjesë e marrëveshjes, ashtu siç do të ketë shumë favore nëse marrëveshja zbatohet”.

Ai saktësoi se “BE-ja e ka paraqitur plotësisht qartë në Marrëveshjen e Ohrit dhe në aneks dhe janë dy palët ato që duhet ta zbatojnë. BE-ja ka ofruar një platformë për dialog dhe gjithçka duhet të zbatohet brenda kësaj kornize”.