Stellantis nënshkruan marrëveshje me Kuniko për furnizim me materiale baterish

Stellantis ka nënshkruar një marrëveshje investimi për blerje dhe kapital me kompaninë e listuar në Australi, Kuniko, e fundit nga një varg marrëveshjesh që synojnë t’i japin prodhuesit të veturave furnizim të qëndrueshëm të materialeve kryesore për bateritë e veturave.

Bazuar në marrëveshjen detyruese, prodhuesi franko-italian i veturave do të marrë 35 për qind të prodhimit të ardhshëm të sulfatit të nikelit dhe sulfatit të kobaltit nga projektet e kërkimit të Kuniko në Norvegji, për nëntë vjet, thanë të dy kompanitë të premten në një deklaratë të përbashkët.

Stellantis gjithashtu ra dakord që të blejë aksione të reja në Kuniko me vlerë prej 5 milionë eurove (5.4 milionë dollarë), duke i dhënë asaj një pjesë prej 19.99 për qind të aksioneve, e gjithashtu edhe fuqinë për të emëruar një anëtarë të bordit, shtuan ata, raporton Reuters.

Fondet e ofruara nga Stellantis do të ndihmojnë në mbështetjen e projekteve të kërkimit të metaleve të Kuniko në Norvegji, të cilat përfshijnë nikel, kobalt dhe bakër.

Shefi i blerjeve dhe zinxhirit të furnizimit të Stellantis, Maxime Picat, tha se prodhuesi i tretë më i madh i veturave në botë për nga shitjet ishte në një “rrugë agresive” për të siguruar lëndët e para të nevojshme për të përmbushur objektivat e tij të elektrifikimit.

“Me Kuniko, ne po shtojmë një levë tjetër për të mbështetur nevojat tona evropiane të baterive me një zgjidhje lokale dhe të ndërgjegjshme për mjedisin nga projektet e saj norvegjeze”, tha ai.