Stoltenberg falënderon Erdoganin për vendimin për të dërguar trupa në veri të Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka përshëndetur vendimin e Turqisë për të dërguar disa trupa në Kosovë, në mbështetje të KFOR-it.

Stoltenberg pas një takimi me presidentin turk Erdogan në pallatin Dolmabahçe, e ka falënderuar këtë të fundit për vendimin e marrë.

“Sapo kam përfunduar një takim produktiv me Presidentin Erdogan, së bashku me anëtarët e rinj të kabinetit të tij. Turqia është një aleate e rëndësishme dhe shumë e vlerësuar, duke dhënë kontribute kyçe në NATO. Këtu përfshihen trupat për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë e cila është edhe më e rëndësishme tani, kur tensionet janë të larta. Falënderoj Turqinë për dërgimin e përforcimeve në veri të Kosovës, pas trazirave të fundit”, ka thënë Stoltenberg, transmeton teve1.info.

Ministria turke e Mbrojtjes ka bërë të ditur sot se ka nisur një numër të ushtarëve turq në Kosovë, si përforcim për misionin e NATO-s në Kosovë.

Autoritetet turke kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.

“Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, batalioni komando i Komandës sonë të Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë (Lüleburgaz) i caktuar në rajon filloi të shpërngulet në Kosovë”, thuhet në postimin e publikuar në Twitter. /teve1