Shefi i aleancës së NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se nuk është e sigurt nëse aleanca do të mbijetojë mes ndarjeve të thella midis SHBA-ve dhe Evropës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për të përditshmen britanike “The Guardian”, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se “retë politike të stuhisë” po vendosin një tendosje midis anëtarëve të NATO-s.
Stoltenberg u bëri thirrje drejtuesve të vendeve anëtare për të shmangur një shkatërrim katastrofik, duke thënë se “kur dallimet vazhdojnë, ne duhet të kufizojmë çdo ndikim negativ në bashkëpunimin tonë të sigurisë”.
“Meqenëse aleanca u krijua pothuajse 70 vjet më parë, njerëzit e Evropës dhe të Amerikës së Veriut kanë gëzuar një periudhë të pashembullt paqeje dhe prosperiteti. Por, në nivel politik, lidhjet që na lidhin janë nën tension”, shkroi Stoltenberg.
Sipas tij, ka dallime reale midis SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë lidhur me çështje të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike dhe marrëveshja bërthamore e Iranit.
“Këto mosmarrëveshje janë reale dhe nuk do të zhduken brenda natës. Në fakt, askund nuk është shkruar në gur se lidhja trans-atlantike do të lulëzojë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ndarja është e pashmangshme. Ne mund ta mbajmë atë dhe të gjitha përfitimet reciproke që nxjerrim prej saj”, theksoi shefi i aleancës.
Artikulli i Stoltenberg-ut vjen para takimit të muajt të ardhshëm të NATO-s dhe takimit të tij të së enjtes së ardhshme me kryeministren britanike, Theresa May.
Komentet e shefit të NATO-s pasuan një sulm verbal nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, mbi kancelaren gjermane, Angela Merkel, duke mbrojtur politikën e qeverisë së tij për ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre në kufirin e SHBA-ve, duke thënë se SHBA nuk do të bëhet një “kamp migrantësh nën vëzhgimin tim”.
Në rrjetin social Twitter, Trump po ashtu pretendoi se “populli i Gjermanisë po kthehet kundër udhëheqjes së tyre, ndërsa emigrimi tashmë po lëkund koalicionin e tanishëm të Berlinit”.
Dje, kancelares Merkel iu dha një afat prej dy javësh nga partneri i saj ultra-konservator i koalicionit për të miratuar rregulla më të rrepta të migrimit dhe azilit në marrëveshje me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian (BE).




